Një letër e mbushur me pretendime për shkelje të detyrës zyrtare, pakujdesi të rëndë dhe mosmarrje të masave urgjente për mbrojtjen e fëmijës u mbajt mbi tavolinën e udhëheqjes së Prokurorisë në Pejë. Përgjigjja institucionale? Mbyllje e heshtur e rastit. Pasojat publike? Një jetë e humbur dhe një ngritje e shpejtë në detyrë.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin zyrtar të Prokurorisë Themelore në Pejë, të datës 21 gusht 2026, i cili zbardh prapaskenat e një sistemi që mbron vetveten.
Më 28 korrik, avokatja Adelina Hoxha kishte adresuar një kërkesë urgjente për inicimin e procedurës disiplinore kundër prokurores së Departamentit për të Mitur në Pejë, Suada Hamza.
Në atë ankesë renditeshin shtatë pika që ngrinin dyshime serioze për dështimin e drejtësisë përballë detyrimit për mbrojtjen e të miturve dhe viktimave:
Dyshimi i bazuar për shkelje të detyrave zyrtare;
Pakujdesi e rëndë profesionale dhe mosushtrim efektiv i funksionit prokurorial;
Mosmarrja e masave urgjente për mbrojtjen e fëmijës;
Marrja në pyetje e të miturit pa praninë e psikologut dhe pa garancitë ligjore;
Lejimi i qëndrimit të fëmijës te një person i tretë i dyshuar, në kundërshtim me ligjin.
Pavarësisht pretendimeve të paraqitura në ankesë, kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, vendosi ta mbyllte rastin. Më 21 gusht, përmes një vendimi të shkurtër, Vuçetaj e hodhi poshtë kërkesën, me arsyetimin se ankesa “nuk ka të bëjë me ndonjë shkelje disiplinore”.
Lidhja e këtij zinxhiri vendimesh me realitetin në terren u bë shqetësuese pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ngjarje që tronditi Pejën dhe ngriti pikëpyetje serioze për përgjegjësinë institucionale dhe masat që ishin ndërmarrë për mbrojtjen e saj përballë sinjaleve të rrezikut.
Ndërsa dhimbja dhe revolta e opinionit publik rriteshin për shkak të tragjedisë dhe kërkesave për llogaridhënie, në institucionet qendrore po zhvillohej një proces tjetër, ai i avancimit të prokurores Suada Hamza.
Vendimi i kryeprokurores Vuçetaj për ta mbyllur procedurën disiplinore nuk ishte fundi i historisë për prokuroren Suada Hamza.
Në vend të një procesi të mëtejshëm të llogaridhënies, prokurorja mori mbështetjen e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Me propozim të Qeverisë së Kosovës, emri i saj u dërgua në Kuvendin e Kosovës, ku u votua për ta avancuar si anëtare të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Sot, prokurorja Suada Hamza është pjesë e një mekanizmi që vlerëson kandidatët për provimin e jurisprudencës, në një kohë kur rrethanat e ankesës së paraqitur kundër saj dhe vendimi për mbylljen e rastit ngrenë pikëpyetje serioze për standardet e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë. /Insajderi.org/