Planifikimi i dobët dhe menaxhimi jo efektiv i kontratave publike që ndërlidhen me “Bashkimin e qytetit të Ferizajt” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës shpenzime shtesë, dhe jo vetëm kaq. Auditori i Shtetit ka gjetur edhe shumë parregullsi në projektin ‘ikonë” të ferizajasve.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i projektit: Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Auditori ka audituar projektin që nga zanafilla e tij në dhjetor të vitit 2017 e deri në prill të vitit 2022, përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin dhe arritjen e objektivave të projekti, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Cilat jashtë gjetjet kryesore të Auditorit?
Komuna e Ferizajt nuk e kishte bërë planifikimin e duhur të projektit që kushtoi mbi 5 milionë euro, konkludon Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Komuna duhet të ketë plane strategjike për investime kapitale, në veçanti për projekte ndërtimore. Komuna e Ferizajt duhet të bëjë matjet gjeodezike të parcelës, të marrë lejet e nevojshme, të ketë projekt ideor dhe të bëjë hulumtimin e çmimeve të tregut para se të filloj inicimin e procedurave të tenderimit. Përderisa projektet janë të kufizuara në kohë dhe kanë një synim të caktuar, ato duhet të buxhetoren bazuar në vlerën e parashikuar të kontratës dhe të planifikohen edhe në ligj të buxhetit proporcionalisht nëpër vite”, thotë Raporti, shkruan Gazeta Insajderi.
ZKA pas auditimit të projektit milionësh ka ardh në përfundim se Komuna e Ferizajt nuk e ka përfshirë të njëjtin në planet strategjike komunale.
“Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) është një dokument strategjik multi-sektorial që e harton Komuna me të cilin i përcakton caqet afatgjata të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor në komunë. PZhK-ja pastaj zbërthehet në planin zhvillimor urban (PZhU) dhe rural (PZhR) për një periudhë së paku tetë (8) vjeçare. Para se të përfshihen në Ligjin e Buxhetit, projektet duhet të përfshihen në PZhK, përkatësisht PZhU dhe PZhR”.
“Projekti “Bashkimi i qytetit të Ferizajt” ngërthen tre projekte të cilat janë përfshirë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2018, e pastaj janë definuar me një Memorandum Mirëkuptimi në mes të Komunës së Ferizajt (tutje Komuna) dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (tutje Ministria). Ministria e ka përfshirë projektin në tabela të buxhetit të vitit 2018 pa kërkuar detaje nga Komuna. Në PZhK-në 2017-2025 është e vështirë të identifikohet ky projekt, sepse nuk ka përshkrim që përputhet me projektin. Ekziston vetëm përshkrimi “ndërtimi i parkingjeve nëntokësore” që përbën vetëm një pjesë të projektit”, thotë raporti që zbardhë parregullësit e projektit të “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Raporti thekson se “në mungesë të PZhU-së, “Bashkimit të qytetit të Ferizajt” i mungojnë vlerësimet, shumë të nevojshme para fillimit të punimeve/investimeve në komunë”.
“Për më tepër, projekti nuk ka kaluar për shqyrtim dhe miratim në kuvend komunal. Meqë projektet nuk kanë derivuar nga një analizë e mirëfilltë e rrethanave dhe nuk ishin përfshirë në dokumentet strategjike komunale, vendimi i Komunës për investim ishte vendim arbitrar. Komuna ka përgatitur vetëm një dokument ekspertize, i cili përmban rekomandime por pa detaje specifike dhe kritere të matshme. Për më tepër, dokumenti është hartuar pasi që Ligji i Buxhetit për vitin 2018 ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës. Dokumenti nuk është as i protokolluar. Kjo mënyrë e marrjes së vendimeve për investime e bën Komunën jo transparente dhe të hapur ndaj qytetarëve të saj për projektet në të cilat investon”.
Auditori shkruan se Komuna e Ferizajt ka pasur probleme me buxhetimin e projektit.
“Komuna kishte filluar zhvillimin e procedurave të prokurimit plotësisht e vetëdijshme se ndarjet buxhetore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar koston e plotë të projektit. Vlera e parashikuar e kontratës për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura” ishte afër katër fish më e lartë (5.9 milion euro) se ndarjet buxhetore (1.5 milion euro). Po ashtu të gjitha ofertat që kishte pranuar ishin prej 4 deri 5.7 milion euro”, shkruhet në dokumentin zyrtar të ZKA, transmeton Gazeta Insajderi.
Projekti me të cilin krenohet Komuna e Ferizajt kishte edhe parregullsi në pajisje me pëlqime mjedisore.
“Para nënshkrimit të kontratës “Ndërtimi i nënkalimit për vetura”, Komuna ka aplikuar për pëlqime në kompanitë publike/private: INFRAKOS, Bifurkacioni, Vala dhe KEDS. Departamenti i Infrastrukturës kishte bërë një sërë kërkesash të një pas njëshme për pëlqime në INFRAKOS për pjesë specifike të projektit. Megjithëse INFRAKOS-i vazhdimisht iu kishte përgjigjur kërkesave të Komunës për kushte teknike, këto dy institucione janë në kontest gjyqësorë rreth parcelave ku janë ndërtuar projektet, i cili daton që nga viti 2010. INFRAKOS-i pretendon se Komuna e ka ndërtuar projektin Bashkimi i qytetit në një pjesë të
pronës së INFRAKOS-it. Prona e pretenduar ka sipërfaqe prej rrreth 70 ari, ndërsa Komuna
dhe INFRAKOS-i janë në kontest për gjithsejtë dy hektarë”, thotë raporti, shkruan Gazeta Insajderi.
Auditori ka gjetur po ashtu se “vlera e parashikuar e kufizon konkurrencën në konkursin e projektimit”.
Komuna kishte bërë kërkesë për inicimin e procedurës së prokurimit për konkurs të projektimit, gjegjësisht për të angazhuar një operator ekonomik që do të hartojë dokumentacionin ndërtimor (projektin kryesor), përfshirë edhe paramasën dhe parallogarinë përkatëse, meqë Komuna nuk ka staf të specializuar për hartim të projekteve. Komuna kishte hapur konkurs projektimi për secilin nga tre projektet që e përbëjnë projektin “Bashkimi i Qytetit”. Pa bërë asnjë analizë, Komuna e kishte ndarë vetëm 30,000 euro (vlera e parashikuar), për këtë konkurs të ndarë në tre llote, përkatësisht”:
“Gjithsej 41 Operatorë Ekonomik e kishin shkarkuar dosjen e tenderit ndërsa, vetëm një kishte dorëzuar ofertë. Vlera e ofertës për Llot I ishte 85,000€, për Llot II 6,500€, ndërsa për Llot III nuk kishte fare ofertë. Pra, çmimi i ofertës vetëm për dy llote ishte 91,500€ apo më shumë se katërfishi i vlerës së parashikuar për to. Për këtë arsye, Zyra e prokurimit kishte kërkuar anulimin e procedurës se prokurimit. Megjithatë Zyra e Kryetarit se bashku me Drejtorinë e Infrastrukturës kishin vendosur që të mos anulohet aktiviteti duke ia dhënë kontratën ofertuesit të vetëm në këtë tender. Komuna kishte paraparë që ta siguronte shumën që mungonte me rishikimin e buxhetit të vitit 2018”.
Për pasojë, sipas Auditorit “duke mos e anuluar konkursin e projektimit, Komuna e kishte kufizuar
konkurrencën në këtë aktivitetet të prokurimit”.
Sipas gjetjeve të tij, kompanitë kanë aplikuar në tenderë pa i pasur dokumentet e kompletuara.
“Dy nga tre tenderët që kemi audituar kemi gjetur se ka mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave, njëri është konkursi i projektimit “Hartimi i projektit Bashkimi i Qytetit” dhe tjetri është “Bashkimi i qytetit –projekti dy vjeçar”.
ZKA kishte gjetur se dhe Komuna e Ferizajt e kishte bërë “projektimin pa analiza paraprake të mjaftueshme dhe pa konsultim me qytetarët”.
Pas gjetjeve që i ka bërë ZKA ia ka bërë në projektin e “Bashkimit të Ferizajt”, i ka adresuar disa gjetje tek kryetari Agim Aliu, dhe komuna që ai udhëheqë.
Kjo e fundit është pajtuar me gjetjet e auditimit si është zotuar se do t’i adresojnë të gjitha rekomandimet e dhëna.
Lexo edhe:
Projekti problematik me të cilin Agim Aliu i fitoi zgjedhjet
Katër vjet më parë, në shtator të 2018-ës, kishte nisur projekti i “Bashkimit të Ferizajt”. I pari i komunës e kishte quajtur si projekt të “shekullit”
“Ky projekti ‘Bashkimi i Qytetit” i cili do të jetë projekt unik sepse do të jetë i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës, do të ketë një gjatësi mbi 700 metra dhe që praktikisht do të jetë nën pjesën e hekurudhës, sigurisht se do të shërbej edhe për ato qytete që kanë ngjashmëri me Ferizajn, por sigurisht do të shërbej edhe me gjerë. Ne po realizojmë këtë projekt falë përkushtimit, falë mbështetjes bashkë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Infrastrukturës, deputetë dhe zëvendësministrat që kanë qenë në mbështetje të këtij projekti”, kishte thënë Aliu më 2018.
Atë kohë në nisjen e projektit mori pjese edhe ish-kryetari i Kuvendi Kadri Veseli.
“Është emocionuese kur kaq shumë qytetarë të një qyteti marrin pjesë në një projekt, kjo shpreh vet domethënien e projektit se sa i duhur është ky investim dhe për këtë arsye kur jemi kaq shumë para kësaj mase unë dua ta falënderoj kryetarin Aliu, i cili me vendosmërinë tij që nga dita e parë e marrjes së mandatit nuk u nda nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, me dhjetëra takime së bashku me deputetin Elmi Reçica, ministrin Pal Lekaj kanë bërë që të realizohet ky projekt”, pati thënë Veseli.
Katër vjet më pas, Veseli nuk ishte i pranishëm në Kosovë, pas akuzave nga Haga, por aty ishte Aliu të cilit projekti i “Bashkimit të Ferizajt” ja solli sërish fitoren në qytetin juglindor të Kosovës.
Përurimi i tij ndodhi korrikun e vitit të kaluar, vetëm dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku Aliu doli fitues fale projektit që kishte kishte marrë jehonë jo vetëm në qytetin e ferizajasve, por në gjithë vendin./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: