×
  • Lajme
  • Insajderi

    Spitali i Gjilanit me mungesë të materialeve bazike për operacione – ankohen qytetarët, drejtori i vë fajin ShSKUK-së

    Insajderi
    07 July 2022 - 14:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Disa qytetarë nga Gjilani janë ankuar se në Spitalin e kësaj komune, më konkretisht në repartin e Gjinekologjisë mungojnë materialet kryesore për kryerjen e operacioneve. Duke filluar nga anestezioni, serumi e penjtë. Njëri prej qytetarëve tha se pagoi deri 25 euro për tri prej këtyre materialeve që po mungojnë në Spital. Mungesat e gjithë këtyre barnave po i mohon drejtori i Spitalit, Arsim Emin. Pohon se ka mungesë veç të një lloji.

    Një tjetër qytetar ka raportuar në redaksinë e Insajderit se mungojnë penjtë. Një tjetër anestezioni e pilulat.

     “Për të hyrë në sallë të lindjes duhesh me i pasë të gjitha pajisjet vet, duke fillu nga serumi e penjtë”, ka thënë qytetari.

    “Bashkëshortja ka shku me lind jam detyru vet me i ble penjtë më kanë kushtuar deri në 25 euro. Edhe anestezionin vet ka duftë me siguru”, ka thënë tjetri derisa përcjelli edhe përshkrimin e barnave nga mjeku gjegjës.

    Për këto ankesa, Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Spitalit në Gjilan, Arsim Emini.

    Ai konfirmoi se ka mungesë të një lloji të materialit, të penjve por jo të materialeve tjera. Sipas tij faji nuk është tek spitali, por tek tenderet të cilat kryhen përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

    Drejtori tha se mungon lloji i penjve resorbues, që përdoret vetëm në rastet kur lindja kryet me operacion.

    “Kemi pengesa në material, në penjtë, veç me penjtë për të tjerat nuk kemi problem, disa lloje të penjve. Janë disa lloje të penjve, penjtë resorbues të cilët nuk i kemi. Përndryshe nuk kemi penga tjera”, u shpreh ai.

    Drejtori shtoi se një mungesë të tillë e kanë pasur edhe në repartin e Kirurgjisë.

    “Jemi duke e trajtu çështjen e mungesës, se ma herët ka qenë problem edhe më i madh. Kjo ndodh për shkak procedurave të tenderimit në ShSKUK. Por shumica janë rregullu, se kemi pasur problem jo vetëm në Gjinekologji por edhe në repartet tjera, në repartin e Kirurgjisë – janë penjtë resorbues që i kemi mungesë. Ka një mungesë të përgjithshëm”, deklaroi Emini për Insajderin.

    “Ky lloj i penjve (resorbues) përdoret për rastet kur lindjet kryhen me operacion”, tha drejtori teksa u shpreh se edhe ky ‘telash’ do të rregullohet.

    Ndërkohë, Drejtori Arsim Emini përmend se kanë mungesë edhe të një lloji të antibiotikut, ceftriaxone. Për të cilën u raportua se ishte gjetur një copë metali brenda ampulës.

    “Kemi pasur me herët edhe me një lloj të antibiotikëve, që mediat veç kanë shkruar për atë që është gjetur një metal, në një fllakon. Ato janë hequr prej përdorimit tash derisa të bëhet procedura tjetër, ato i kemi problem. Është fjala për antibiotikun Cefriaxone”, tha drejtori i Spitalit të Gjilanit.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark