Analistët thonë se murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë” rezolutat - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Analistët thonë se murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë” rezolutat

    Insajderi
    24 December 2016 - 16:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Çështja e ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, është karakterizuar me debate dhe mospajtime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëseancën e fundit.

    Seanca për këtë çështje ishte thirrur nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, ku është kërkuar të dihet nga Qeveria e Kosovës, se a kanë qenë në dijeni për ndërtimin e një muri të tillë.

    Madje, kjo parti kishte përgatitur një projekt -rezolutë, në të cilën, ndër të tjera kërkohej shkarkimi i Ministres për Dialog,Edita Tahiri, ndërprerja e bisedimeve në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, si dhe Qeveria e Kosovës, përmes organeve të veta të ndërmarrë të gjitha masat që të rrënohet muri që është në ndërtim e sipër.

    Për votimin e kësaj rezolute nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

    Në anën tjetër, analistë për çështje politike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës është dashur që t’i qartësojë hapat e ardhshëmqë do të marrëpër zgjidhjen e këtij problemi.

    Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kuvendi është i pafuqishëm për të marrë vendime apo miratuar ndonjë rezolutë për shkak të problemeve që kanë ndërmjet vete partitë në Kuvendin e Kosovës, por edhe për shkak të paqartësive që përmbajnë rezolutat.

    “Një prej arsyeve që këto rezolutat e Kuvendit nuk po arrijnë ta kenë fuqinë e tyre është se shpesh herë janë të paqarta, nuk parashohin veprime konkrete. Dhe, më shumë bazohen në rrafshin politik të përfitimit të vëmendjes politike dhe të konsumimit ditor, sesa që rezolutat, të cilat janë realiste dhe parashohin veprime konkrete për t’u zbatuar”, thotë Krasniqi.

    Analisti Halil Matoshi, ndërkaq, thotë se rezolutat nuk kanë ndonjë efekt në zgjidhjen e problemit të krijuar pas ndërtimit të murit. Ai shprehet se në këtë drejtim Kuvendi i Kosovës nuk ka asnjë lloji fuqie.

    “Kjo me murin është një maskaradë e radhës sa për të tentuar që të shfaqen zëra patriotikë, por që nuk ka asnjë fuqi ndikimi. Kjo sepse rreth murit mund të ndikojë vetëm këmbëngulja e Brukselit zyrtar dhe Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Kuvendi i Kosovës në këtë drejtim nuk ka asnjë lloji fuqie”, vlerëson Matoshi për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë transparent.

    Sidoqoftë, Matoshi thotë se Kuvendi i Kosovës, asnjëherë nuk ka arritur që të pavarësohet dhe të marrë vendime kredibile, përpos vendimeve që kanë qenë të shtyra nga faktori ndërkombëtar.

    Albert Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të qartësojë se çfarë në fakt ka përmbajtur marrëveshja e arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar:

    “Fuqia e Kuvendit të Kosovës është duke kërkuar qartësisht nga Qeveria se çfarë hapash konkretisht duhet të ndërmarrë. Për shembull të kërkojë nga Qeveria që të bëhet një inspektim i gjendjes atje. Duhet të tregojë se çfarë në fakt përmban ajo marrëveshje, për shkak se ka shumë paqartësi dhe shpesh herë faji hidhet sa në nivel komunal, sa në nivel qendror, Kuvend dhe kështu duke e shpërndarë nuk ka ndonjë adresëtë saktë se kush është përgjegjës për atë veprim” .

    Gjatë debatit dhe mosmarrëveshjes për këtë çështje në seancën Kuvendit, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka duke e quajtur murin joligjor, ka thënë se ky mur nuk ka lindur në bazë të projekteve në Bruksel.

    Në asnjë moment në Bruksel, ka thënë ai, nuk është diskutuar për murin dhe nuk ka qenë muri pjesë e këtij projekti.

    Ndryshe, me vendim të autoriteteve lokale të veriut të Mitrovicës,ditë më parë filloi ndërtimi i një muri, me një lartësi prej mbi dy metrash, duke ngjallur reagime të fuqishme dhe rritur tensionet.

    Ndërtimi i murit u bë në kohën kur po kryheshin punimet për revitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, pas heqjes së “Parkut të Paqes”, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, me qëllim të rikthimit të normalitetit në qytetin e ndarë të veriut të Kosovës. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    25 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark