Tekniku italian, Carlo Ancelotti ishte optimist në komentet e tij pas ndeshjes ndaj Barcelonës – ku madrilenët u mposhtën me rezultat 1-0.
Ai tha se skuadra e këtij viti është superiore ndaj asaj që fitoi La Liga Santander dhe Champions League sezonin e kaluar.
“Mendoj se tani kemi një skuadër më të mirë se ajo që kishim vitin e kaluar”, deklaroi italiani pas ndeshjes.
“Në stërvitje shihet se ka edhe më shumë intensitet. Mendoj se ka pasur shumë intensitet në këtë ndeshje, veçanërisht në pjesën e parë dhe kam menduar se ishte një lojë e barabartë. Unë u përpoqa të shpërndaj minutat mes lojtarëve. Doja të luaja disa lojtarë më të rinj. Në përgjithësi, më pëlqeu kjo paraqitje kundër një kundërshtari të fortë”, u shpreh ai.
Ancelotti gjithashtu konfirmoi se Karim Benzema do të luajë minutat e tij të para parasezonale në ndeshjen e ardhshme të Real Madridit, e cila është kundër Club America të martën.