×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    “Andi ka marrë vendim dhe do të jetë pjesë e Kosovës” – deklarata e babit të lojtarit kohë më parë

    Insajderi
    19 May 2021 - 20:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sulmuesi kosovar që sonte u ftua nga Kombëtarja e Zvicrës, para një viti kishte veshur fanellën e Kombëtares se Kosovës. Por, duket se gjërat ndryshuan shumë shpejt dhe tani Andi Zeqiri nuk do të luajë me fanellën verdhë e kaltër të Dardanëve

    Vitin e kaluar Andi Zeqiri ishte lojtar i Kosovës!

    Por, si duket gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë Andi Zeqiri nuk do të jetë më opsion për sulmin kosovar.

    Këtë e kishte thënë vetë babai i Andi Zeqirit në disa intervista që ka bërë për mediat e Kosovës, Avdi Zeqiri.

     “E di që kohët e fundit është rritur presioni i tifozëve dhe është mirë që ata kërkojnë që lojtarët më të mirë me origjinë nga Kosova t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës, megjithatë ata nuk e dinë të vërtetën sa i përket çështjes së Andit. E vërteta është se ne e kemi një marrëveshje me presidentin Agim Ademi, por situata e pandemisë ia ka pamundësuar presidentit ardhjen në Zvicër për ta nënshkruar zyrtarisht shkresën me të cilën vërtetohet se Andi do t’i bashkohet Kosovës. Pra, gjithçka ka të bëjë me problemet e ndalesës së fluturimeve Prishtinë-Cyrih. Unë mund t’iu them se 99.9 përqind kjo punë është e kryer, por meqenëse nuk e kemi vendosur ende nënshkrimin mbi letër nuk dua të them 100 për qind”, kishte thënë ai.

    “Andi ka marrë vendim dhe do të jetë pjesë e Kosovës. Ai e ka edhe një ndeshje kundër Francës me  Zvicrën U21 dhe me fitore kualifikohet. Kjo i sjellë edhe dobi financiare, por aspekti financiar nuk ndikon tek Andi. Ai është shumë i vendosur dhe Kosovën e ka zgjedhur me zemër. Këtë ua ka bërë të ditur edhe zviceranëve. Të dielën në ndeshjen Basel – Lausanne, Zvicra në një mënyrë ka bërë presion, ngase përveç përzgjedhësit të Kosovës Bernard Challandes në stadium ishte edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic, mirëpo tashmë nuk ka asgjë që mund t’ia ndërrojë mendjen Andit”, ka shtuar babai i lojtarit.

    Tutje Avdi Zeqiri kishte thënë se dëshira e Andit është që t’i bashkohet sa më parë ekipit dardanë, teksa ka konfirmuar se tashmë ai është pajisur edhe me pasaportë të Kosovës.

    “Për herë të parë po e bëj publike që Andi është pajisur edhe me pasaportë të Kosovës në fund të dhjetorit të kaluar. E gjithë familja po presim ta shohim në fanellën e Kosovës, por pa dyshim Andi është ai që po e pret me padurim atë ditë. Edhe familja ime në Ferizaj po e presin me padurim këtë gjë sepse të luash për flamurin e vendit tënd është diçka e papërshkrueshme. Ne jemi të vetëdijshëm se Zvicra ka dhënë gjithçka për ne, por zgjedhja e Kosovës është çështje zemre”, ka nënvizuar babai i Andit.

    Por gjërat kishin ndryshuar në shtator të vitit të kaluar pasi Zeqiri u transferua tek skuadra e Premier Ligës, Brighton & Hove Albion kur kompania që e menaxhon atë njoftojë që Andi do të luanë për Kombëtaren e Zvicrës.

    “Kompania Gold Kick SA dëshiron të njoftojë, se futbollisti me shtetësi të Zvicrës dhe Kosovës, Andi Zeqiri, sot i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Zvicrës, në të cilën e ka konfirmuar, se edhe më tutje dëshiron të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës. Kjo duhet (momentalisht) të ndalë spekulimet dhe informatat, që kanë dal nga mediume të ndryshme ndërkombëtare”, ka shkruar agjenti i tij në Facebook.

    Babai i Zeqirit kishte vazhduar që t’i mohonte këto lajme por që ato dolën të sakta në fund dhe tanimë Andi do të luanë për Zvicrën në Euro 2020.

    Vlen të theksojmë se i pari i FFK-së, Agim Ademi, vazhdimisht ka theksuar se Zeqiri do të luajë për Kosovën. 

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Sport
    23 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark