×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Anëtarja e bordit të RTK-së Shukrije Rama nën hetime për deklarim të “rrejshëm të pasurisë”

    Insajderi
    16 September 2023 - 18:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Anëtarja e Bordit të RTK-së Shukrije Rama, nuk e ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, pronësinë në një biznes si dhe rolin drejtues në një organizatë joqeveritare. Agjencia ka thënë se ato poste janë obligim të deklarohen. Sipas Kodit Penal, deklarimi i rremë është vepër penale. Agjencia po e heton Ramen edhe për konflikt të interesit për shkak se ka mbajtur postin e drejtoreshës në një OJQ tjetër dhe postin e anëtares së bordit për gati dy vite.

    Anëtarja e Bordit të RTK-së, Shukrije Rama ka folur disa herë lidhur me ligjshmërinë, rëndësinë e respektimit të ligjit si dhe ka shprehur pretendimet e saj në Komisionin për Media të Kuvendit për shkeljet ligjore nga menaxhmenti i RTK-së.

    Përkundër se në deklarimet e saj është paraqitur “ithtarë” e respektimit të ligjit, po del se ajo vet nuk e ka respektuar Ligjin për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Ligje këto që përveç aspektit të ligjshmërisë janë të ndërlidhura edhe me integritetin e zyrtarëve publik, pra që të deklarojnë pasurinë që e posedojnë dhe të mos jenë në konflikt interesi, e që i bie të mos përfitojnë jashtëligjshëm, raporton Reporteri.

    Nëse krahasohet regjistri i deklarimit të pasurisë që Rama e ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2022 dhe 2023, del se Rama mund të ketë bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë. Rrjedhimisht ajo mund të ketë bërë shkelje ligjore që sanksionohet si vepër penale sipas legjislacionit në Kosovë.

    Në të dy vitet e deklarimit të pasurisë, ajo nuk e ka deklaruar fare biznesin “Shukrije Xh. Rama B.I.”, me numër unik identifikues 811827411. Sipas të dhënave të ARBK-së, Rama në këtë biznes figuron se është pronare , ndërkaq atë e ka regjistruar me 21 nëntor 2016. Në ARBK, statusi i këtij biznesi shkruan se është i “regjistruar”.

    Ky biznes aktivitet primar ka aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit, si aktivitet sekondar i ka aktivitetet e specializuara të dizajnit si dhe aktivitetet e tjera ka ato profesionale, shkencore dhe teknike.

    Sipas nenit 6 të Ligjit për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, zyrtarët e lartë publik, e që në këtë rast është Shukrije Rama duhet t’i deklarojnë të gjitha asetet që i kanë në posedim, përfshirë bizneset dhe pozitat menaxhuese.

    Mosdeklarimi i pasurisë, apo deklarimi i rrejshëm, sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës, pra është vepër penale.

    Sipas nenit 430, pikës 2 të Kodit Penal të Kosovës, “çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.

    Lidhur me këtë mosdeklarim Shukrije Rama, ka thënë për gazetën online Reporteri.net se biznesin nuk e ka aktiv në ATK dhe ka lënë të kuptohet se ka pritur që agjencia do të duhej që t’ia tërhiqte vërejtjen.

    “AKK nuk më ka tërhequr vërejtjen për këtë biznes, por unë i kam pyetur se çfarë ndodhë nëse një biznes individual pushon veprimtarinë për kohë të pacaktuar (këtë ua kam dëshmuar edhe me dokument dhe vulë të AKK-së (ATK  v.j) – për pushim të veprimtarisë për kohë të pacaktuar), prandaj AKK më sugjeroi të marr masa edhe në këtë pikë. Prandaj, pikërisht edhe ky është kapitull i mbyllur”, ka thënë Rama, por duke mos specifikuar se çfarë masash i ka sugjeruar që të ndërmarrë agjencia.

    Sipas ligjit, agjencia nuk tërheq vërejtje, por në rastet kur merr informacione ose zyrtarit i bie shorti për kontrollin e plotë të pasurisë dhe evidenton raportim të rrejshëm të pasurisë, bënë kallëzim penal, dhe rasti kalon për trajtim nga Prokuroria e Shtetit.

    Rama obligohej ta deklaronte biznesin

    Lidhur me këtë çështje kjo Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konfirmojnë se Shukrije Rama e ka pasur obligim ta deklarojë këtë biznes. Ata kanë thënë se me të marrë këtë informacion nga gazeta online Reporteri.net, gjatë trajtimit të këtij hulumtimi, kanë filluar të merren me rastin në fjalë.

    “Po (duhet të deklarohet biznesi që është i regjistruar në ARBK). Dispozita e nenit 6 paragrafi 1 pika 1.5 dhe 1.6 të lartcekur për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave ka përcaktuar qartë se çfarë duhet të përfshijë deklarimi i pasurisë sa i përket pronësisë biznesore”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Rama “fshehu” edhe postin drejtues në një OJQ

    Mosdeklarimi i biznesit nuk është e vetmja shkelje që dyshohet e ka bërë Shukrije Rama. Në bazë të të dhënave që gazeta online Reporteri.net i ka hulumtuar në databazën online të OJQ-ve të regjistruara në Kosovë, del se ajo është presidente (siç përshkruhet në formular), apo drejtuese e një organizate joqeveritare me emrin “Electronic Information for Libraries in Kosova”, apo shkurt eIFLKos, me numër të regjistrimit 5110994-5. Rama del të jetë edhe një ndër tre themeluesit e kësaj organizate joqeveritare të regjistruar në Kosovë.

    Lidhur me këtë mosdeklarim Shukrije Rama ka thënë se kjo OJQ nuk ka aktivitet dhe “duhet automatikisht të shuhet, prandaj edhe ndaj kësaj kam marrë masa korrigjuese”, ka thënë Rama, por pa specifikuar çfarë masa korrigjuese ka ndërmarrë.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gazetës online Reporteri.net, gjatë kryerjes së këtij hulumtimi, i ka pohuar se edhe ky post drejtues duhet të deklarohet në këtë agjenci dhe se me të marrë informacionin për këtë post drejtues të Rames, do ta trajtojë atë konform legjislacionit në fuqi.

    “Po (do të duhej ta deklaronte postin drejtues në OJQ). Sipas dispozitës së nenit 6 paragrafi 1.4 të po këtij Ligji, Deklarimi i pasurisë duhet të përfshijë ndër të tjera edhe “pozitën aktuale deklaruese dhe funksionet tjera në sektorin publik dhe privat, përfshi periudhën kohore të ushtrimit të funksionit”, thuhet në përgjigje.

    Anëtarja e bordit të RTK’së po hetohet për konflikt të interesit

    Megjithatë Shukrije Rama e ka deklaruar në të dy vitet postin e drejtoreshës ekzekutive në Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale, post në të cilin është emëruar me datën 15 shtator 2019. Por edhe këtu po del se ka rënë në telashe me ligjin.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionitka konfirmuar se Shukrije Rama po hetohet për konflikt të interesit.

    Në listën e përditësuar të OJQ-ve të regjistruara në Kosovë, në muajin gusht të këtij viti, Rama nuk figuron më në postin e drejtoreshës së kësaj organizate.

    Ajo në përgjigjet e saj me email e konfirmon se agjencia e kanë ftuar lidhur me hetimet që po i zhvillon për këtë rast.

    “Nga zyrtarët e AKK u këshillova se ligji nuk e lejon dhe duhet të marr veprime korrigjuese. Menjëherë jam tërhequr nga kjo pozitë dhe kjo është e faktuar tanimë”, ka thënë ndër të tjera Rama për gazetën online Reporteri.net, duke shtuar se askush deri më tani nuk i ka thënë se “duhet të tërhiqem nga pozita që mbaj në OJQ, deri në ditën kur jam kontaktuar nga AKK-ja”.

    Ndërkaq, lidhur me këtë çështje nga APK kanë thënë se “për këtë rast Agjencia ka iniciuar procedurën e hetimit administrativ,  e cila procedurë ende nuk është përfunduar”.

    Në rastet tjera kjo agjenci ka dhënë opinion që zyrtari publik për t’i shpëtuar pasojave ligjore, duhet ta shmangë konfliktin e interesit, duke dhënë dorëheqje nga njëri post, në këtë rast nga anëtarja e bordit të RTK-së ose drejtoresha ekzekutive në OJQ, gjë që e konfirmoi edhe Rama se është tërhequr nga kjo e fundit.

    Megjithatë, kjo mund t’i bie që anëtarja e bordit Shukrije Rama për një vit e gjysmë ka qenë duke kryer dy funksione në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark