Insajderi
Hulumtime/Analiza

Ankesa për favorizim: Kompania që u promovua nga Kurti merr edhe një tender tjetër, megjithëse ofertoi 30 mijë euro më shtrenjtë se kompanitë e tjera

Insajderi
27 November 2025 - 15:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ankesa për favorizim: Kompania që u promovua nga Kurti merr edhe një tender tjetër, megjithëse ofertoi 30 mijë euro më shtrenjtë se kompanitë e tjera
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë një kontratë prej 119 mijë euro Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi O.P. Kjo e fundit njihet si firmë që ka marrë një numër të madh tenderësh përgjatë Qeverisë Kurti. Madje, kryeministri në detyrë e kishte vizituar këtë firmë dhe kishte përkrahur publikisht atë.

Gazeta Insajderi

Kompania “Blendi ka fituar tenderin për ‘‘Furnizim me material të ndryshëm zyrtar me shtypë për MPB -Ritender III ’’ në MPB.

Vlera e kontratës është afro 120 mijë euro.

Lidhur me këtë tender kishin ofertuar edhe dy kompani të tjera, njëra prej tyre me çmim 30 mijë euro më lirë.

Një kompani ka kërkuar rishqyrtim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke pretenduar se është eliminuar padrejtësisht.

Pretendimet kryesore të kompanisë

Në ankesë, kompania ka pretenduar se është diskriminuar gjatë procesit të vlerësimit të mostrave.

Sipas tyre, MPB ka hartuar specifikime teknike të paqarta dhe jo të plota, duke cenuar konkurrencën dhe duke favorizuar një operator të vetëm, i cili sipas tyre i ka plotësuar mostrat në të gjitha rastet.

Kompania ka theksuar se disa prej artikujve të kontestuar nga MPB janë dorëzuar në përputhje të plotë me specifikat teknike, dhe në disa raste madje me cilësi më të lartë.

“Mostrat i kemi dorëzuar në përputhje të plotë me specifikat teknike. Arsyeja e eliminimit tonë është e pabazuar dhe e njëjtë me tri tentativat e mëhershme të tenderit”.

Sipas tyre, është dhënë një operatori tjetër me çmim 32,710.10 euro më të lartë se oferta e tyre. kërkesa për rishqyrtim është dorëzuar më 13 shtator 2025.

Sipas ankesës, komisioni vlerësues dhe zyra e prokurimit të MPB-së akuzohen për shkelje të një sërë nenesh të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë nenin 1 (Qëllimi), nenin 6 (Ekonomiciteti dhe Efikasiteti), nenin 7 (Barazia në Trajtim), si dhe disa dispozita që rregullojnë vlerësimin e tenderëve.

Në anën tjetër MPB dje, (26.11.2025), ka marrë vendim që të pezullohet tenderi për shkak të ankesave.

Fituesi i tenderit është emër i njohur në historinë e tenderëve të pushtetit.

Si u ‘shpërblye’ furnizuesi i VV-së?

Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” O.P. është një nga kompanitë që ka fituar vazhdimisht tenderë nga institucionet nën drejtimin e Vetëvendosjes.

Në nëntor të vitit 2024, Zyra e Kryeministrit i dha kësaj kompanie një kontratë në vlerë prej 11,390 eurosh për furnizime me materiale zyrtare. Pak muaj më parë, e njëjta zyrë i kishte dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 47,000 eurosh.

Një muaj më vonë, përmes procedurave të negociuara, Shërbimi Korrektues i Kosovës, i kishte dhënë tender për kantinën e të burgosurve. Kontrata kishte një vlerë prej 298,783 euro.

Ndërsa, edhe MPJD i kishte dhënë një tender tjetër, që vlerën e parashikuar e kishte 90 mijë eurove.

Lidhja e Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi me pushtetin

Kompania “Blendi” është ndër bizneset e rralla që u vizitua nga kryeministri Kurti.

Ai madje i kishte dedikuar edhe një postim promovues duke thënë “kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“.

“Japin shembull se si në Kosovë mund të përfitosh me punë”, thotë Kurti në videon e publikuar në vitin 2023.

Kjo kompani është furnizues i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas, raportit Vjetor Financiar të publikuar në KQZ, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, Vetëvendosje nga kompania “Blendi” ka blerë mallra në vlerë prej 6120 euro.

Në raportin e vitit 2022, te kompania e njëjtë, Vetëvendosje ka blerë mall në vlerë prej 6,300.32 euro.

Sipas formularit “Lista e donacioneve të Subjekteve Politike për zgjedhjet lokale të vitit 2021”, po ashtu del se nga kjo kompani ishin blerë shërbime.

“Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark