×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ‘Anulim Idrizi’, Vetëvendosje akuzon pushtetin në Vushtrri për kurdisje të konkurseve, flasin nga komuna

    Insajderi
    31 March 2023 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria e Arsimit ka anuluar dy konkurse së fundmi. Atë për drejtor të shkollës në SHMU “Enver Hadri” në Smrekonicë dhe konkursin për mësimdhënës për lëndën e makinerisë në SHMLT “Lutfi Musiqi”.

    Pas vendimit të pushtetit në Vushtrri ka reaguar opozita me akuza në drejtim të kryetarit Ferit Idrizi. Dega e Lëvizjes Vetëvendosje tha se të dy konkurset janë kurdisur për t’ia bërë një vend militantëve partiakë.

    E vërteta është se pas testimit të kandidatëve për këtë konkurs ju dështuan matematikat dhe kurdisjet e radhës për një zyrtare të partisë që ja kishin planifikuara fitoren para konkursit. Anulimi i konkurseve sa here që “i del” nga “kurdisja” përbën shkeljen ligjore recidiviste të Anulistit Ferit Idrizit, të cilin duket se as avokati i partisë që po e paguan afër 20 000 Euro në vit me paratë publike nuk po arrin ta përmisojë“, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, Dardan Abazi lidhur me deklaratat e opozitës.

    Abazi mohoi pretendimet e opozitës duke thënë se konkursi për drejtor të shkollës në SHMU “Enver Hadri” në Smrekonicë është anuluar pasi ka pasur vetëm një kandidat

    “Në lidhje me anulimin e dy konkurseve të fundit, ju informoj që në konkursin për drejtor të shkollës në SHMU “Enver Hadri” në Smrekonicë ka pasur vetëm një kandidat. Në bazë të Udhëzimit Administrativ 151/2020 i MASHT, kërkohet së paku tre kandidat të përgjegjshëm për vijimin e konkursit. Duke qenë se ka pasur vetëm një kandidat, neve na është dashur të rishpallim atë. Ne menjëherë kemi caktuar një përgjegjës në shkollë dhe menjëherë kemi rishpallur konkursin ku tani, në bazë të rregullativës ligjore, në rishpallje procesi mund të vazhdoj edhe nëse nuk ka më shumë se një kandidat”, tha drejtori Abazi për Insajderin.

    Ndërsa për konkursin për mësimdhënës, Abazi tha se ka qenë gabim teknik nga ana e Drejtorisë Komunale për Arsim.

    “Sa i takon konkursit për mësimdhënës për lëndën e makinerisë në SHMLT “Lutfi Musiqi” ka qenë një lëshim teknik nga ana jonë si DKA. Bazuar në fondin e orëve dhe kërkesën e drejtorit të shkollës, është dashur që konkursi të shpallej me kohë të caktuar ndërkohë që gabimisht është shkruar “me kohë të pacaktuar”. Për këtë ka ndodhur edhe anulimi në momentin që është vërejtur. Anulimi i konkurseve nuk ka të bëjë me punësime partiake apo politike”, u shpreh Abazi./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark