Një grup kandidatësh për prokurorë të rinj i janë drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me kërkesë për rishqyrtim të vendimit për anulimin e plotë të konkursit dhe procesit të rekrutimit, shkruan Insajderi.
Në dokumentin që ka siguruar Insajderi, kandidatët e cilësojnë vendimin e KPK-së si të paligjshëm, të paarsyetuar dhe joproporcional, duke thënë se është marrë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe parimet bazë të transparencës dhe paanshmërisë.
“Kjo kërkesë parashtrohet mbi bazën e bindjes së arsyeshme se vendimi në fjalë është nxjerrë në kundërshtim me parimet themelore të procedurës administrative, me dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (Nr. 05/L-031) (në vijim: LPPA), me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr. 06/L-011), si dhe me vetë standardet rregullative që Këshilli është i obliguar t’i zbatojë dhe t’i mbrojë”, thuhet në kërkesën drejtuar KPK-së
Sipas tyre, KPK ka aplikuar në mënyrë të paqartë dhe kontradiktore bazën ligjore për anulimin e konkursit, pa sqaruar nëse procesi ishte i paligjshëm apo i ligjshëm dhe pa identifikuar ndonjë parregullsi konkrete apo akt administrativ të caktuar që do ta justifikonte anulimin e tërësishëm të procedurës.
“Nga përmbajtja e vendimit rezulton se Këshilli, si bazë ligjore, i është referuar njëkohësisht nenit 54 të LPPA-së, i cili rregullon anulimin e detyrueshëm të një akti administrativ të paligjshëm, si dhe nenit 56 të të njëjtit ligj, i cili rregullon anulimin e një akti administrativ të ligjshëm. Megjithatë, vendimi nuk sqaron se cilit regjim juridik i nënshtrohet rasti konkret, përkatësisht nëse procedura e rekrutimit në tërësi apo ndonjë akt i veçantë administrativ i ndërmarrë gjatë kësaj procedure është konsideruar i paligjshëm në kuptim të nenit 54 të LPPA-së, apo nëse është vlerësuar si i ligjshëm në kuptim të nenit 56 të këtij ligji”.
Kandidatët potencojnë se procesi i rekrutimit kishte arritur në fazë të avancuar, përfshirë edhe intervistimin e një pjese të tyre, duke përjashtuar, sipas tyre, çdo pretendim për “pamundësi ligjore apo materiale” të vazhdimit të konkursit.
Në dokument thuhet gjithashtu se KPK ka shkelur parimin e proporcionalitetit, pasi ka zgjedhur masën më ekstreme – anulimin e plotë të konkursit – pa shqyrtuar mundësinë e sanimit të parregullsive eventuale apo adresimit individual të përgjegjësisë.
Kandidatët pretendojnë se me këtë vendim janë cenuar pritshmëritë e tyre legjitime, pasi kanë qenë palë aktive në një procedurë administrative të iniciuar nga vetë KPK-ja dhe kanë investuar kohë të konsiderueshme në përgatitje profesionale.
Në kërkesë ngritet edhe shqetësimi për mohimin e së drejtës për mjete juridike, pasi KPK ka konstatuar se kandidatët nuk kanë të drejtë ankimi, gjë që sipas tyre bie ndesh me parimet kushtetuese për qasje në drejtësi.
Po ashtu, kandidatët kundërshtojnë faktin që vendimi për anulimin e konkursit është marrë në një mbledhje me dyer të mbyllura, duke e cilësuar këtë si shkelje të parimit të transparencës.
Në dokumentin e siguruar nga Insajderi ngrihen edhe dyshime për konflikt interesi, pasi në votimin për anulimin e konkursit ka marrë pjesë një anëtar i KPK-së, djali i të cilit ka qenë kandidat në këtë konkurs, çka sipas tyre cenon parimin e paanshmërisë dhe integritetin e vendimmarrjes.
Kandidatët kërkojnë që çështja të rishqyrtohet në mbledhjen e radhës së KPK-së dhe të shqyrtohet mundësia e vazhdimit të procesit të rekrutimit ose sanimit të tij, duke paralajmëruar se në të kundërtën do t’i drejtohen gjykatave.
Lexo edhe:
Theksojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për anulimin e plotë të konkursit për rekrutimin e 21 prokurorëve të shtetit në Prokuroritë Themelore të Kosovës, i shpallur më 30 prill 2025.
Sipas vendimit të siguruar nga Insajderi, KPK ka konstatuar një sërë parregullsish procedurale dhe mospërputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara në Rregulloren për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit.
Në arsyetim thuhet se parregullsitë kanë ndikuar drejtpërdrejt në barazinë e kandidatëve, integritetin dhe kredibilitetin e procesit të rekrutimit, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procedurës në formën aktuale.
/Insajderi