
Kompania ‘Industria e Miellit 3A Sh.p.k e cila kishte aplikuar në tenderin e Ministrisë së Industrisë për ‘furnizim me gurë për rezervat shtetërore’, është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Vendimi është marrë pasi kompania ishte tërhequr papritur nga tenderi pa dhënë arsye të qëndrueshme. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
“Industria e Miellit 3A sh.p.k”, kishte aplikuar në tenderin për “Furnizim me grurë per nevoja te rezervave shtetërore për vitin 2024”, i hapur nga Ministria e Industrisë.
Mirëpo Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e kishte anuluar këtë tender i cili parashihej të kushtonte 4 milion euro. Sipas sqarimit të MINT-it ishte thënë se arsyeja pse është anuluar ky tender është se operatori i rekomanduar është tërhequr nga gara.
“Operatori ekonomik i rekomanduar është tërhequr dhe nuk ka mundur të përfundonte ky aktivitet i prokurimit për vitin 2024. Njëherësh pranimin e njoftimit nga DRSHM-ja se nuk ka buxhet të planifikuar për këtë procedurë sipas shumës së tenderuar në vitin 2024 dhe se ky aktivitet i prokurimit do të tenderohet me vlera të tjera për vitin 2025”, thuhej në sqarimin e MINT-it.
E pasi ishte tërhequr nga gara kompania “Industria e Miellit 3A Sh.p.k”, MINT kishte dorëzuar kërkesë në OSHP.
Siç ka pretenduar autoriteti kontraktues, kompania në fjalë pasi është zgjedhur e përgjegjshme në këtë tender, nuk i kishte dorëzuar dokumentet e pranueshmërisë brenda afatit të paraparë.
“Autoriteti kontraktues pretendon se OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k, si pjesëmarrës ne aktivitetin e prokurimit me titull: Furnizim me grurë per nevoja te rezervave shtetërore per vitin 2024, ka vepruar ne kundërshtim me nenin 99.2 te LPP-se dhe 25.9 te RrUOPP-se, duke e arsyetuar se ne si autoritet kontraktues, e kemi kualifikuar si te përgjegjshëm dhe të njëjtit i kemi kërkuar dokumentet e pranueshmërisë sipas nenit 65 te LPP-se. Sipas autoritetit kontraktues, Operatori ekonomik, nuk është përgjigjur brenda afatit të paraparë”, thuhet në vendimin e OSHP’së.
Kështu, OSHP, ka konstatuar se qëndrojnë pohimet e AK-së, duke e diskualifikuar kompaninë “Industria e Miellit 3A Sh.p.k”, nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit prej tre muaj.
“VENDIM – Aprovohet, si e bazuar kërkesa e MINT, në cilësin e Autoritetit Kontraktues, e datës 02.10.2024, kurse OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k, me nr. Unik 811168245-Gllogoc, diskualifikohet nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit për periudhën kohore në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, duke filluar nga data 12.03.2025 deri me datën 11.09.2025“, thuhet në vendim.
Kërkesa e OSHP-së drejtuar Operatorit Ekonomik
Organi Shqyrtues i Prokurimit, kishte kërkuar përgjigje nga OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k, me qellim qe operatori ekonomik të jap faktet dhe argumentet e veta lidhur me kërkesën e AK-së.
Mirëpo siç thuhet në dokument, OSHP, nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k.
Konstatimet e OSHP’së
Industria e Miellit 3A Sh.p.k, sipas OSHP ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke e dëmtuar Ministrinë e Industrisë, pas tërheqjes pa prova të qëndrueshme.
“Paneli shqyrtues, bazuar në shkresat e kësaj lënde dhe provat e administruara, ka konstatuar se qëndrojnë pohimet e AK-së, sikurse janë përshkruar ato në kërkesën e datës: 13.12.2024, sepse Operatori ekonomik Industria e Miellit 3A Sh.p.k, ka vepruar në kundërshtim me nenin 99.2 te LPP-së dhe nenin 25.9 të RrUOPP-se, për faktin se është tërhequr nga aktiviteti i prokurimit, konkretisht e ka dëmtuar autoritetin kontraktues dhe njëherit OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k nuk ka dhëne ndonjë prove të qëndrueshme, lidhur me tërheqjen e tij.
Paneli shqyrtues, pasi ka analizuar provat e prezantuara nga autoriteti kontraktues, vlerëson se veprimet e operatorit ekonomik bien ndesh me nenin 25.9 te RrUOPP-se dhe nenin 99.2 te LPP-se, sepse i njëjti nuk i ka dorëzuar vërtetimet e kërkuara nga AK-ja.
“Andaj, paneli shqyrtues vendos që OE Industria e Miellit 3A Sh.p.k, të vendoset në listën e zezë në kohëzgjatje prej tre (3) muajve“.
Gazeta Insajderi ka gjetur se Industria e Miellit 3A Sh.p.k është në pronësinë e Armend Mustafës.
Ndërsa aksionar është edhe Agron Mustafa.
Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga Industria e Miellit 3A Sh.p.k, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.
KËTU mund të gjeni vendimin e plotë nga OSHP.