×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Apeli konfirmon aktgjykimin lirues ndaj dy ish-ekspertëve të OSHP-së, akuzoheshin se ia fituan një tender biznesmenit të njohur

    Insajderi
    10 December 2023 - 12:59

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj dy ish-ekspertëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi, duke konstatuar se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj vendimit të shkallës së parë, nuk ka specifikuar se cili nen- dispozitë është shkelur me rastin e lirimit të akuzuarve nga aktakuza për korrupsion. Andaj, ankesa e Prokurorisë është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i 1 shtatorit 2023, është vërtetuar.

    Ramadani dhe Fetoshi akuzoheshin se në cilësi të ekspertëve të OSHP-së, kishin mundësuar fitimin e një tenderi nga kompania NTP “Friends”, me ç’rast kishin për të kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kurse, pronari i NTP “Friends”, Armend Selimi ngarkohej për veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Fillimisht kolegji i gjykatës së Apelit vëren se prokuroria nuk thekson konkretisht se cila është shkelja specifike përkatësisht cilës dispozitë nen apo paragraf i referohet…”, thuhet në vendimin e marrë më 20 shtator 2023.

    Lidhur me akuzat ndaj Ramadanit dhe Zeqirit, Themelorja fillimisht më 21 dhjetor 2021 i kishte liruar nga akuza. Kurse, pronari i NTP “Friends”, Armend Selimi ishte shpallur fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

    Mirëpo, Apeli e kishte kthyer çështje në rigjykim, ku ndër të tjera ishte thënë se dispozitivi i aktgjykimit të Themelores ishte konsideruar kontradiktor.

    Në rigjykim, Themelorja më 2 gusht 2023, shpalli akgjykim lirues ndaj Ramadanit dhe Zeqirit. Kurse, për Armend Selimin ishte veçuar procedura.

    Ndaj vendimit të dytë të Themelores, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë ankesë, duke kërkuar që çështja penale ndaj Ramadanit dhe Fetoshit të kthehet në rigjykim për së dyti, pasi që nuk janë vlerësuar drejt provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Përgjigje në ankesë kishte ushtruar i akuzuari Fetoshi me mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Gashi, me propozim që të refuzohet ankesa e Prokurorisë dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores. Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese, kishte propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë, duke kërkuar të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë ose çështja të kthehet në rivendosje dhe të refuzohet si e pabazuar përgjigja në ankesë e mbrojtjes.

    Mirëpo, me vendimin e dytë të Apelit, aktgjykimi i Themelores është vërtetuar, me arsyetimin se është i bazuar në ligj dhe nuk është i përfshirë në shkelje esenciale që aktgjykimin ta bëj juridikisht të paqëndrueshëm.

    Po ashtu, Apeli i ka rikujtuar se Prokurorisë Themelore që është e detyruar që kur të parashtrojnë ankesë, të argumentojë saktësisht se cila shkelje është bërë që aktgjykimi të mund të konsiderohet juridikisht i paqëndrueshëm.

    “…ky Kolegj i rikujton prokurorisë se është në detyrën e saj që kur parashtron ankesë nga paragrafi 2 i nenit 384 ka detyrim që të argumentoj saktësisht se cila është shkelja dhe si është manifestuar ajo shkelje që e përbën aktgjykimin juridikisht të paqëndrueshëm” thuhet tutje në vendim.

    Sipas Apelit, Themelorja me rastin e përpilimit të vendimit është kujdesur që në raport me çdo fakt relevant të japë arsye, të cilat do rezultojnë në mbështetje të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Prandaj sipas Apelit, Themelorja saktë ka ardhur në përfundimin se me asnjë provë të vetme nuk është provuar figura e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” nga Ramadani dhe Fetoshi.

    Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, nga mendimi i dhënë nga ana e të akuzuarve Ramadani dhe Fetoshi për OSHP-në, nuk rezulton se të njëjtit kanë konstatuar se autorizimi është origjinal, por se vetëm kishin konstatuar se autorizimi ishte pjesë e shkresave të lëndës.

    Ndryshe, aktakuza e ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkonte Armend Selimin se në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, se nga viti 2013 e deri në korrik të vitit 2014, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender. Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM. Me këtë rast, ngarkohej se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”.

    Ndërsa, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi akuzoheshin se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi pretendohej se i kishte falsifikuar dokumentet.

    Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson&Friends” në Londër është i falsifikuar dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.

    Në bazë të kësaj, ata thuhej se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale. Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitojë tenderin nga Ministria e Shëndetësisë.

    E kaluara e dyshimtë e Armend Selimit që lidhet me trafik armësh

    Në tetor të vitit 2011, Policia e EULEX-it në Kosovës kishte arrestuar gjashtë persona të dyshuar për korrupsion në lidhje me furnizimin e armëve për policinë e Kosovës.

    Në mesin e të arrestuarve ishte edhe bisnesmeni Armend Selimi.

    Si pronar i firmës “Friends” dyshohej se kishte siguruar një marrëveshje që dyshohej të jetë e korruptuar me një tender në tetor 2008.

    Tri nga kompanit në mesin e të cilave edhe “Friends” dyshohej se nga 2007-ta kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

    Ato kompnai në të mesin e të cilave ishte edhe “Friends”, kishin fituar kontratat të shumta me Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, Forcën e Sigurisë të Kosovës, Komisionin Europian në Kosovë dhe me EULEX-in.

    Kontratat kryesisht përfshinin furnizimin me armë, municion, kuzhina, biçikleta, uniforma për policë dhe zjarrfikës dhe pajisje monitoruese transmetuese.

    Bashkë me Armend Selimin i përfshirë në këtë skandal ishte edhe ortaku i tij, Astrit Pira.

    Prokuroria Speciale në janar të vitit 2015 ngriti aktakuzë ndaj tyre dhe dy zyrtarëve policorë dhe një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Në maj të vitit 2015 aktakuza u hodh poshtë me arsyetimin se Prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit dhe se aktakuza ishte ngritur pas afatit dy vjeçar.

    Përveç hetimeve në aferën e njohur si skandali i armëve autoritetet policore kanë pasur edhe probleme tjera me tandemin Selimi-Pira.

    Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e publikuar më 2012 kishte konkluduar se tenderi për furnizim me autoblinda ishte i kurdisur.

    Fitues i tenderit ishte kompania N.T.P Friends që është në pronësi të Armend Selimit.

    Afro 700 mijë euro kishte përfituar kjo kompani nga ky tender në korrik të vitit 2011.

    Tri firmat, Jolix, Friends dhe Amici, të drejtuara nga Pira dhe Selimi nga viti 2007 deri më 2011 kanë fituar kontrata në vlerë 6.2 milionë euro nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

    Mbi 1 milionë euro kanë përfituar vetëm nga Policia e Kosovës.

    Njëra prej tyre, kompania NTP Friends, tashmë e ka të ndaluar që të fitojë nga kontratat publike.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit më 18 shkurt 2015 i ndaloi kësaj kompanie pjesëmarrjen në tenderë publikë.

    Konkuldoi se në qershor të vitit kjo kompani dorëzoi në Ministrinë e Shëndetësisë dokumente të falsifikuara kur iu kërkua dëshmi për cilësinë e mallit.

    Kompania kishte konkurruar në tenderin për furnizim me material shpenzues dhe pajisje medicinale.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark