Konflikti i vjetër ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit, u reflektua edhe këtë vit në pelegrinazhin vjetor të besimtarëve myslimanë në Mekë. Retorika e hidhur e fjalëve mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet përpara pelegrinazhit vjetor të Haxhit.
Lideri suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei akuzoi autoritetet saudite për dështim në menaxhimin e pelegrinazhit një vit më parë, ku humbën jetën 2.236 persona.
Ndërsa në kundërpërgjigje Myftiu i Madh i Arabisë Saudite Al Sheikh, reagoi ashpër duke thënë se iranianet nuk janë besimtarë myslimanë, por janë armiqtë më të mëdhenj të sunitëve.
Presidenti i Iranit Hassan Rouhani iu bashkua debatit duke thënë se Arabia saudite nuk ka kërkuar falje për të gjitha trazirat e vitit të shkuar në këtë ditë të shënuar dhe as janë konsultuar me besimtarët e tjerë myslimanë për mbarëvajtjen e Haxhit këtë vit.
Tensionet janë rritur që nga ekzekutimi i klerikut dissident Nimr el-Nimr dhe pas sulmit në ambasadën e Teheranit.
Në janar të vitit 2016 Riadi i dha fund edhe marrëdhënieve diplomatike me Teheranin.
Dështimi i marrëveshjes për ritualin fetar ka sjellë që këtë vit për herë të parë ne 30 vite pelegrinasëve nga Irani iu është mohuar pjesëmarrja në Haxhin e Mekës.
Arabia saudite dhe Irani janë në konflikt edhe sa i përket çështjes së Irakut, Sirisë dhe konfliktit të Jemenit. Ndërkohe mijëra besimtarë kanë zbarkuar në Mekë, ndërsa autoritetet kanë garantuar siguri të plotë dhe se janë në gatishmëri të lartë. /TCh