“Me copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për ta mashtruar qytetarin, Vitia zhduk një prej parkingjeve më kyçe të qytetit”, ka thënë Përparim Rama, gjatë konferencës së sotme për medie, ku prezantoi projektin e tij origjinal “Ridefinimi i Qendrës”.
Me këtë rast, Rama, ka akuzuar kundërkandidatin e tij, Arben Vitia, për kopjimin e projekteve të programit të tij dhe zhdukjen e njërit nga parkingjet kyçe të qytetit.
“Fatkeqësisht, jeni duke parë prej kundërkandidatit copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për ta mashtruar qytetarin. Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke e zhdukur edhe një prej parkingjeve më kyçe të qytetit”, tha Përparim Rama.
Rama, përmes projektit të tij për “Ridefinimin e Qendrës” parasheh parkingun nëntokësor, përfundi platformës së gjelbëruar ndërlidhëse, si një pikë kyçe që lidh qendrën e qytetit dhe i cili vihet në shërbim të Pallatit të Rinisë, të Stadiumit të Qytetit si dhe të Sallës Koncertale.
Vlen të theksohet se, ditën e djeshme, Arben Vitia, ka prezantuar projektin për këtë pjesë, i cili tashmë dyshohet fuqishëm se është kopjuar nga programi i Përparim Ramës, mirëpo harron dhe zhduk një prej parkingjeve më kyçe të qytetit. Thjeshtë, tentoi të luaj skeç për t’u fshehur si një kopjues i keq.