Dinamo Zagreb ka konfirmuar transferimin e sulmuesit Arbër Hoxha nga Slavia Belupo.
Pasi paralajmëruan transferimin me një video të bukur, ku shfaqej flamuri i Kosovës pranë flamujve të tjerë (origjina e lojtarëve të tjerë të skuadrës), Dinamo e ka zyrtarizuar anësorin.
“Arbër Hoxha është lojtari i ri i Dinamos. Sulmuesi nga Kosova nënshkroi kontratën me klubin dhe të mërkurën do t’i bashkohet trajnerit Sergej Jakirovic dhe bashkëlojtarëe të rinj”, shkruhet në komunikatë.
Ndërkohë, Hoxha është shumë i lumtur për kalimin te Dinamo, ku deklaroi se mezi pret ta tregojë kualitetin te klubi më i madh në Kroaci.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam arritur marrëveshje me Dinamon dhe jam lojtari më i ri në klubin më të madh në Kroaci”.
‘I falënderoj ish bashkëlojtarët dhe trajnerët për të gjitha eksperiencën, gjithçka që më mësuan, por prova e vërtetë do të nis tani, në tërë kuptimin e fjalës”.
“Për një kohë të gjatë doja që të luaja për Dinamon, që kur mësova për interesimin e klubit. Asnjëherë nuk kam dyshuar për diçka që tani ndodhi. Do të bëj më të mirën për të justifikuar besimin e klubit dhe të arrij suksese dhe momente të paharrueshme së bashku”.