×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Argëtuese- LDK’ja e Fehmi Aganit pret zbërthim përmbajtësor të situatës politike nga humoristi Besim Dina

    Insajderi
    23 October 2023 - 13:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, me vartës partiakë me sfond akademik sikurse ishte Fehmi Agani, po ia dhuron ekskluzivitetin e “zbërthimit përmbajtësor” të situatës politike humoristit Besim Dina, i cili ishte mysafir debutues në Podcastin “Rruga e Re” të kreut të partisë tradicionale, Lumir Abdixhikut.

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, i reagoi zyrtarit të VV-së, Ilir Kërçelit – parti kjo me të cilën kishte garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës – për satirën që iu bë ‘podcast’-it ‘Rruga e Re’, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas Kica-Xhelilit, Kërçeli nuk është mësuar me “zbërthim përmbajtësor e informues që rrjedh nga një Podcast”, me mysafir Besim Dinën.

    “Ndoshta është mësuar me viralitet të TikTok por jo zbërthim përmbajtësor e informues që rrjedh nga një Podcast. Ndoshta nuk njeh rëndësinë e elaborimit politik përmes sfidimit nga personalitete argëtuese e shume sfiduese si Besim Dina, ku dikur rritej e ngritej pikërisht kryeministri i sotëm. Nuk e di”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

    Reagimi i saj vjen pas talljes që u përcoll me njoftimin e fillimit të një podcast-i ‘Rruga e Re’ nga kreu i LDK-së. Rastin për të satirizuar me podcast e shfrytëzoi edhe këshilltari i Glauk Konjufcës.

    Në facebook, ai e ka quajtur ‘podcast’-in si “Debutim i humorit të LDK’së” duke e ironizuar me një deklaratë që e tha zyrtari i lartë i LDK-së, Lutfi Haziri i cili ka thënë se ‘ditët e ardhshme do të jenë shokuese’.

    “Mos e ka fjalën për debutimin e humorit të LDK-së me këtë podcastin e ri? Po e presim pra, shpresojmë nuk është aq shokuese sa humori i Lutës me privatizimin”, tha ai.

    Abdixhiku me podcastin e ri ka vendosur t’ia bëjë një kopje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës. Nga ajo se çfarë ka prezantuar Abdxhiku, duket një kopje brutale e emisionit të kryeministrit shqiptar.

    Abdixhiku ka vendosur që mysafir të parë ta ketë një humorist – Besim Dinën.

    “Podcasti ‘Rruga e Re’ na vjen si një dritare e re komunikimi; që mes zhurmës mbytëse të ankesave e ngecjes me të shkuarën, provon të ndërtojë rrugën përpara. Këtu, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, do t’i shpalosim në detaje të gjitha projektet e ‘Rrugës së Re’ e idetë tona politike. Do t’i sfidojmë ato me secilin mendues kritik e secilin zë që e ëndërron një Kosovë”, ka deklaruar ai.

    Platforma politike e propaganduar “Rruga e Re” nuk është se po sjell fort risi në LDK. Gazeta Insajderi pati raportuar se takimi i parë në kuadër të hartimit të kësaj platforme të propaganduar politike u pati mbajtur në ‘Hotel Brezovica’, në pronësi të biznesmenit multimilioner të dyshuar për dhënie ryshfeti, Abedin Salihu, i dyshuar për rastin Brezovica.

    Prezent në këtë mbledhi të LDK-së, që po synon të zgjidhë të gjitha problemet politike në vend, u pa edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkumbin Gashi, i akuzuar për vjedhje votash. Gashit në dhjetor të vitit të kaluar i është ngritur aktakuza për këtë vepër penale. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark