Ylli medial i Vetëvendosjes, Gëzim Mekuli ia ka huqur me gjykatën që sot mori vendim lidhur me Klan Kosovën.
Mekuli, i respektuari nga Lëvizja Vetëvendosje, me banim në Norvegji, ka zbuluar se ka zero informacione për zhvillimet në Kosovë. Ndonëse është fyes e ofendues ndaj rivalëve të Kurtit, Mekuli ka dëshmuar se ka mungesë edhe të zhvillimeve që bëjnë bujë.
Ai ia ka huqur edhe në rastin e famshëm. Atë të Klan Kosovës. Ai ka bërë një postim në Facebook, në të cilin e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimin e marrë në favor të mediumit. Ka qenë i ashpër kundër Kushtetueses. E ka quajtur gjykatë e moçme, duke aluduar se i shërben ish-pushtetarëve.
Por, pas postimit duket se dikush ia ka treguar Mekulit të vërtetën. I ka treguar që ndryshe quhet gjykata që mori vendim për Klanin.
Fillimisht ka shkruar se vendim është marrë nga Gjykata Kushtetuese dhe vetëm pastaj e ka përmirësuar duke e shkruar Gjykata Komerciale.
Sot, Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka aprovuar kërkesën Klan Kosovës për shtyrje të vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe atij të ARBK-së, për marrje të licencës.
“Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit të paraqitura në kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese dhe vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do ti sillte dëm i cili vështirë do të riparohej, si dhe ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar, kushte këto të përcaktuara në nenin 22 par.2 të LKA-së”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës Komerciale.
/Insajderi