×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Arkiva e Hekuran Muratit thellon hendekun mes veteranëve dhe “Qeverisë Anti-UÇK”

    Insajderi
    30 June 2022 - 13:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një arkivë “e pasur” e Hekuran Muratit me statuse kundër veteranëve është rikthyer në temë që ka nxitur reagime të ashpra ditëve të fundit në Kosovë. Murati që tash mbanë pozitën e ministrit të kuletës shtetërore në Qeverinë Kurti, pati deklaruar se “më lirë do të na kushtonin mercenarët sesa UÇK-ja”. Ndërsa qeveria në të cilën merr pjesë ai, nuk gjeti zgjidhje për të përfshirë veteranët në ligji për pagën minimale. Kjo ka nxitur protestat të veteranëve

    Kanë kaluar vetëm dy javë që kur Ministri i Finanacave Hekuran Murati tha se “për veteranët e vërtetë, pensioni 170 euro nuk është i dinjitetshëm”.

    Por, këto fjalë nuk i thoshte sa kishte qenë në karrigën e opozitarit. Jo që nuk i falënderonte veteranët por i krahasonte me mërcenarë.

    Në vitin 2016, Hekuran Murati që tash mbanë pozitën e ministrit të kuletës shtetërore, thoshte së më mirë do të ishte të angazhohen mercenarë që ta çlirojnë Kosovën se sa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas tij kjo do t’i kushtonte buxhetit të shtetit më lirë.

    “Këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregull. Edhe mercenar me pas angazhu na kish dalë më lirë”, kishte shkruar ai.

    Murati shqetësohej aq shumë për faktin se mbi 100 milionë euro do të shkonin pensione për veteranët. Sipas tij mercenarët jo që nuk do t’i paguanin por nuk do të kishte nevojë as t’i falënderonim.

    “Përderisa pagesa për veteranët po do me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK është veç 45 milionë. Për vitin 2017 dhe 2018 shkon t’u ra madje, 44.8 milionë dhe 44.6 përkatësisht”.

    “Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë”, shkruante atëherë Murati.

    Aktualisht veteranët marrin 170 euro.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, para pak ditësh ka thënë se duhet të ketë pastrim të listave të veteranëve të luftës, të dallohet kush ka luftuar vërtetë për lirinë e vendit, sepse siç thotë ai fryerja e këtyre listave ka ardhur si pasojë e ndikimit politik.

    Nuk është e vetme kjo deklaratë skandaloze e tij.

    Në një postim të po atij viti, ai ka shkruar se NATO i vrau 1200 ushtarë serbë, gjersa UÇK vetëm 300, duke pyetur se për kë luftuan 46 mijë veteranët e tjerë?

    “Statistikat po thojnë që në Luftën e Kosovës janë vra rreth 1.500 ushtarë serb – rreth 300 nga UCK-ja dhe rreth 1.200 nga NATO. A ka mundësi me ditë me kënd kan luftu qeta 46.000 veteranë?”, shkruante Murati.

    Ndërsa në një postim tjetër që kishte bërë në vitin 2018, Murati kishte reaguar për shkruarjën e veteranëve në deti, e në anën tjetër thumbonte ish-presidentin Hashim Thaçi.

    “Veç sa të kthehen veteranet prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i fale tokë Serbisë…”

    “Si vandami që shkon në xhungel deri sa ta then me kame bambusin”, kishte shkruar më tej Murati.

    Reagimet e ashpra ndaj deklaratave skandaloze të Muratit

    Për këto deklarat skandaloze të Muratit, janë ngjallur reagime të ashpra në publik. Ndonëse vetë Murati e askush tjetër nga Qeveria nuk është deklaraur as nuk janë marrë masa ndaj tij.

    Kreu i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se secila dorëheqje e ministrave, është amnisti për kryeministrin.

    “Po më detyroni që ta përsëris qëndrimin tim sikur herave të tjera. Kërkesa për dorëheqje të një ministri/e, është amnisti ndaj kryeministrit”.

    “Poashtu, sa i përket se a ka kthyer përgjigje qeveria rreth ligjit për veteranët që lidhet me pagën minimale, jemi deklaruar atë ditë për media pas takimit që kishim me ta e qëndrimi jonë nuk lëkundet: “Kjo nuk është çështje ofertash por çështje ligjore. Ata thërrasin seancë, ne thërrasim protestë”. E nëse nuk marrin vesh, kërkohet dorëheqja e qeverisë, e jo vetëm e një ministri”, tha Klinaku.

    Edhe njëri prej figurave kyçe të PDK-së dhe ish-komandant në zonën e Drenicës, Sami Lushtaku, regoi ashpër ndaj Muratit.  

    Lushtaku tha se UÇK-ja luftohet nga Serbia, shërbimet ruse dhe Lëvizja Vetëvendosje.

    “Kjo fushatë kundër UÇK-së ka nisur bajagi herët, nga Serbia e shërbimet ruse, dhe Vetvendosja. Domethënë janë tre mekanizma që në vazhdimësi e kanë luftu UÇK’në. Edhe VV’ja sikur këto shërbimet serbe domethënë të njëjtin rregull e ka ndjekë”, ka thënë Lushtaku për Periskopin.

    “Prandaj nuk është befasi prej Hekuran Muratit dhe prej Albin Kurtit, i pres edhe prej një pjese të VV’së këto goditje dhe unë mendoj që Kosova është çliruar prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë ushtar i UÇK’së nuk e ka besuar që ka me pshtu prej lufte, kurrë, ama  kurrë, ai që e ka kapë pushkën po edhe një pjesë e qytetarëve që e kanë nimu luftën nuk e kanë besu që ne kemi mi pritë edhe pavarësinë e edhe institucionet tona”, ka vazhduar tutje Lushtaku.

    Për këtë deklaratë të tij, lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se në një vend normal do të ishte shkarkuar ministri.

    “Krejt këta janë të një trangu që kanë kontribu për liri, kur t’i sulmon këta nuk mundesh me sulmu vec diçka. Le të bëhemi të sinqertë, në secilin vend, cilido ministër që kish deklaru diçka të tillë, tashmë ish shkarku për lirinë e popullit të vetë”.

    Tutje ai tha se nuk është me rëndësi koha kur e ka thënë, qoftë kur ka pasur ose jo pozitë publike.

    “Shumë shpesh kryeministra e kryetar shteti që kur ju del ndonjë deklarim i vjetër, ata shpesh herë japin dorëheqje apo shkarkohen.  Kjo nuk është puna që vec ka thonë atëherë. Qysh flet sot ministri, që i bjen Qeveria ndaj çështjes së veteranëve është saktësisht logjika, pra në 2016 është logjika”.

    Lidhur me këtë ka reaguar ashpër edhe Nisma Socialdemokrate, duke e konsideruar si skandal i rëndë dhe si i tillë është i pafalshëm për një bartës të një funksioni publik.

    Nisma konsideron se një deklaratë e tillë nga një zyrtar i lartë qeveritar fyen rëndë vuajtjet e shekullore të popullit shqiptar.

    “Fyen rëndë mijëra dëshmorë dhe martirë të cilët dhanë jetën për çlirimin e vendit! Fyen rëndë çdo luftëtar të UÇK-së. Fyen rëndë qindra fëmijë të vrarë në mënyrë mizore nga barbaria serbe! Fyen rëndë mbi 20 mijë gra e vajza të dhunuara gjatë luftës. Fyen rëndë lirinë e vendit”.

    “Ky tip mercenari nuk e kupton dot vlerën e lirisë as si koncept e as si realitet. Lufta e UÇK-së është vlera më e çmueshme dhe themeli i lirisë së vendit. Liria nuk është pazar, siç e sheh mercenari, Hekuran Murati. Prandaj, NISMA Socialdemokrate kërkon dorëheqje të menjëhershme të Hekuran Muratit nga posti i Ministrit të Qeverisë së Kosovës si dhe distancim publik të kryeministrit Albin Kurti nga kjo deklaratë skandaloze”, thuhet në deklaratën e Nismës.

    Refuzimi i Qeverisë Kurti për rritje të pensioneve të veteranëve

    Projektligji për pagën minimale i propozuar nga Qeveria Kurti, në shumën prej 250 euro, duke lënë jashtë kategorinë e veteranëve të Kosovës është kundërshtuar ashpër nga Organizatat e Dala nga Lufta.

    Ata në vazhdimësi kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtij projektligji, por qeveria ka qenë e prerë me ta duke mos u përgjigjur pozitivisht.

    E si pasojë e kësaj kundërshtie nga Qeveria, veteranët dolën në rrugë për të protestuar.

    Njëri nga veteranët e UÇK-së tha për Insajderin se veteranët janë duke u poshtëruar dhe se vendimi i krerëve të shtetit është i turpshëm.

    “Kena dalë për drejtat tona, paga mu ngrit si për krejt. Edhe Milloshi me pasë marrë këtë vendim ish kanë turp, se le ma nje që i thojmë shqiptarë. Ideali i UÇK-së u kanë me dhanë jetën. Veteranet janë tu u poshtru, si prej popullate edhe prej institucioneve”, tha veterani i UÇK-së.

    Të njëjtën kur jashtë objektit të kuvendit mbahej protesta, në sallë të kuvendit diskutoej ligji për pagën minimale e cila edhe kaloi ne lexim të parë, Kurti u detyrua të pres në takim drejtuesit e Organizatave të Veteraneve.

    Faton Klinaku, pas takimit me të deklaroi se nuk kanë arritur një dakordim me kryeministrin, pikërisht për pikën ku parashihet rritja e pagës edhe për veteranët.

    Klinaku paralajmërojë se do të vazhdojnë protesta.

    “Ne e kishim një takim me kryeministrit Kurti, ministrin e Financa me kryetarin e Financave.  I kemi diskutu shumë çështje por kërkesa jonë ka qenë kjo që do të vazhdojmë ti zhvillojmë protestat e veteranëve, familjeve të dëshmorëve që me këtë cështje ne, me kryeministrin nuk u darkoduam sepse kërkuam të kthehet pika 3.1, që e ka ndryshu kjo qeveri me Kuvendin që me atë pikë e kanë largu beneficionin e veteranit të luftës që është me ligj, që nuk mund të jetë më pak se paga minimale. Ne i thamë që kërkojmë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që do të mbahen ne do të vazhdojmë me protesta derisa të rregullohet, nëse këta e rregullojnë më mirë se sa ka qenë është cështje e cdo qeverie të kontribuojë më shumë qoftë për veteranët por edhe për shtresat tjera”, tha Klinaku përcjell Insajderi. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark