Sulmuesi shqiptar, Armando Broja ka falënderuar tifozët e Kombëtares shqiptare për përkrahjen që i japin futbollistëve të reprezentacionit shqiptar.
“Kuqezinjtë” nën drejtimin e Edi Rejës pësuan 2:1 nga Spanja të shtunën mbrëma, derisa edhe të martën ata do të kenë një test tjetër kontrollues me Gjeorgjinë në Shqipëri, shkruan FrontOnline.
Sulmuesi i Southamptonit që po kalon formë jetësore me anë të një mesazhi i ka ftuar tifozët të jenë të pranishëm për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë.
“Përshëndetje tifozëve kuqezi. Jam Armando Broja. Faleminderit shumë për suportin që na jepni gjithmonë dhe ishalla ju shohim në stadium kundër Gjeorgjisë! Faleminderit”, thotë talenti shqiptar në një video-mesazh të publikuar nga faqja zyrtare e FSHF-së.
Shqipëria dhe Gjeorgjia luajnë të martën me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.