×
  • Lajme
  • Lajme

    Armiqësia 16 vjeçare e Deçanit me Manastirin e mbrojtur nga UNESCO

    Insajderi
    23 May 2016 - 10:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy ndërmarrjet nga Deçani, Iliria dhe Apiko po e vlerësojnë si antikushtetues aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat që iu njohën Manastirit.

    Mbi këtë bazë ato i janë drejtuar kësaj me një kërkesë për rishqyrtim të aktgjykimit të javës së kaluar.

    “Para së gjithash në këtë çështje ka qenë e domosdoshme që të caktohet seanca dëgjimore, në kuptim të Rregullit 39 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes…”, thuhet në kërkesën e dorëzuar në Gjykatë nga avokati, Teki Bokshi.

    Sipas bindjes së parashtruesve të kësaj parashtrese, Kolegji i shkallës së Parë ka nxjerrë një vendim absolutisht kundërligjor, kundërkushtetues dhe në kundërshtim me tërë rendin juridik në Republikën e Kosovës.

    “Nuk mundë të mos ceket bindja se ky Aktgjykim është i ndikuar politikisht, pasi që juridikisht nuk mund të kuptohet”.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur të premten në favor të Manastirit të Deçanit, duke konstatuar se ka pasur shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në dëm të Manastirit.

    Kushtetuesja ka konstatuar se dy vendimet e Kolegjit te Ankesave të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë të pavlefshme.

    Kushtetuesja ka gjykuar se dy vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësi të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme janë përfundimtare, të detyrueshme dhe, si të tilla, janë resjudicata (çështje e gjykuar v.j.).

    Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar kundërkushtetues vendimin e Dhomës së Posaçme e Gjykatës Supreme që kishte vendosur se 26 hektarë tokë i takonin ndërmarrjeve shoqërore Apiko dhe Iliria.

    Kushtetuesja ka vendosur në favor të Manastirit i cili është nën mbrojtjen e UNESKO-s.

    aktgjykimi-18

    Aktgjykimi është nxjerrë bazuar në parashtresën e Atit Sava Janjiq të ushtruar në emër të Manastirit të Deçanit për vlerësim të kushtetutshmërisë se dy vendimeve te 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

    Parashtruesi kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë se dy vendimeve të lartpërmendura, me të cilat pretendohet se parashtruesit i ishin shkelur të drejtat e garantuara për barazi para ligjit, gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, e drejta për mbrojtje të pronës dhe mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

    Vendimi i Kolegjit të Apelit thoshte se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk është kompetente për t’i shqyrtuar këto çështje, ndaj kërkohej që rasti të kthehej për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan.

    Ky vendim shfuqizonte atë të Dhomës së Posaçme të 27 dhjetorit 2012 i cili i jepte të drejtë Manastirit të Deçanit.

    Manastiri kishte shprehur frikën se Gjykata Themelore e Pejës, Dega në Deçan mund të nis procedurat e bartjes së pronësisë.

    Manastiri e akuzonte Komunën e Deçanit që me dokumente të rrejshme kishte ndikuar që vendimi të jetë në favor të tyre. Për këtë arsye, parashtruesi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendoste masë të përkohshme, respektivisht të pezullonte çdo procedurë gjyqësore, çdo veprim apo çdo vendim i autoriteteve publike në lidhje me këtë ankesë kushtetuese deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë kërkesë.

    Në parashtresat e tij, Manastiri theksonte se ka qenë pronar i ngastrave të konsiderueshme të tokës që i ishin konfiskuar dhe nacionalizuar nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë në vitin 1946.

    Manastiri pohonte se në vitin 1997, Qeveria e Republikës se Serbisë ia dhuroi një pjesë të kësaj toke. Kjo dhuratë konsistonte në një ngastër prej 23,5 hektarësh në afërsi të objektit të parashtruesit dhe një ngastër tjetër prej 2 hektarësh që gjendej në qendër të komunës se Deçanit.

    Më 26 prill 2000, dy ndërmarrje shoqërore të quajtura Iliria dhe Apiko kishin ushtruar padi në Gjykatën Komunale të Deçan kundër Manastirit të Deçanit, Komunës se Deçanit dhe Republikës së Serbisë, duke kërkuar anulimin e dhurimit të tokës, të kryer në vitin 1997.

    Kishin pasuar procedura të ndryshme gjyqësore deri me 7 dhjetor 2007, kur Agjencia Kosovare e Mirëbesim kishte aplikuar për heqjen e rastit nga Gjykata Komunale. Procedura të ndryshme kishin pasuar pranë Dhomës se Posaçme.

    Më 27 dhjetor 2011, në një ankesë të përkohshme, Kolegji i ankesave i Dhomës se Posaçme konstatoi se AKM-ja, e përfaqësuar nga Zyra për çështje Ligjore e UNMIK-ut, dhe parashtruesi i kërkesës ishin palët e vetme të autorizuara në këtë rast.

    Kjo pikë është konsideruar shkelje në dëm të Manastirit.

    Më 27 dhjetor 2012, Kolegji i specializuar i Dhomës se Posaçme vendosi në dy aktgjykimet, me te cilin paditë e ndërmarrjeve shoqërore u refuzuan si të pabazuara.

    Kolegji Pronësor konfirmoi se aktvendimi i përkohshëm i Kolegjit te Ankesave lidhur me përfaqësimin e autorizuar në këtë rast kishte marrë formë res judicata (rast i gjykuar v.j.).

    Më 23 janar 2013, respektivisht më 24 janar 2013, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe dy ndërmarrjet shoqërore u ankuan në aktgjykime.

    Më 29 janar 2013, Komuna e Deçanit iu bashkua ankesave. Ndërsa më 12 korrik 2015, Kolegji i Ankesave nxori vendimet përfundimtare.

    Kolegji i Ankesave vendosi që ankesat ishin të bazuara; aktgjykimet e Kolegjit të specializuar u anuluan; dhe, Dhoma e Posaçme nuk ishte kompetente të 3 gjykonte në këtë kontest.

    Në pajtueshmëri me këtë konkludim, Kolegji i Ankesave ktheu këtë çështje dhe çështjet e kontestit në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan.

    Kushtetuesja konstatoi se një gjë e tillë përbënë shkelje Kushtetuese për shkak se rasti është i gjykuar.

    Jahjaga

    Manastiri pretendonte se zyrtaret e Zyrës Kadastrale ne Komunën e Deçanit, pa ndonjë bazë juridike apo pa autorizim, paraprakisht kanë ndryshuar të dhënat në kadastrën komunale lidhur me parcelat e kontestueshme të tokës dhe i kanë regjistruar ato në emra të ndërmarrjeve të reja shoqërore: Apiko dhe Iliria.

    Parashtruesi po ashtu pretendonte se zyra kadastrale ka refuzuar të implementonte Vendimin Ekzekutiv të Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të 22 gushtit 2008 (UNMIK/ED/2008/16) për të kthyer regjistrin kadastral në gjendjen e mëparshme, duke regjistruar pronat përsëri në emër te Manastirit të Deçanit, deri në përmbylljen e procedurave gjyqësore.

    Për më tepër, parashtruesi pretendonte se “ekziston rreziku real se me aktet e reja të Gjykatës në Deçan, dhe në veçanti me caktimin e masës së përkohshme (nga gjykata ne Deçan), do të zbatohen nëpërmjet Gjykatës në Deçan në dëm të Manastirit të Deçanit, të cilat do të zbatohen përmes Gjykatës Themelore në Deçan dhe se parashtruesi i ankesës kushtetuese do të pëson dëme të pariparueshme.

    Gjykata Kushtetuese vëren se parashtruesi pretendon se ishte refuzuar si palë nga ana e Kolegjit të Apelit dhe rrjedhimisht nuk ka mundur t’i mbronte pretendimet e veta.

    Për më tepër, parashtruesi pretendon se Kolegji i Apelit nuk ishte kompetent për të dëgjuar ankesat e AKP-se, “Iliria” -s dhe “APIKO” -s, sepse vendimi i Kolegjit të Apelit, i 24 korrikut 2010, ishte bërë res judicata dhe për këtë arsye nuk i nënshtrohet ndonjë shqyrtimi të mëtejshëm gjyqësor.

    Gjykata vëren se pretendimi parësor i parashtruesit ka të bëjë me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, siç mbrohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drenjat e Njeriut.

    Parashtruesi pretendon se Kolegji i Apelit ka shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë duke:

    1. rihapur një vendim të mëhershëm që është bërë res judicata;
    2. mos lejuar qëllimisht parashtruesin, një palë e autorizuar me një interes të veçantë pronësor në procedurë, që të marre pjesë në procedura;

    dhe c. duke lejuar palët e deklaruara më parë si të “paautorizuara” nga e njëjta gjykatë që pastaj të marrin pjesë në ato procedura.

    Në mënyrë të veçantë, parashtruesi pretendon se në vendimet e tij, të 12 qershorit 2015, Kolegji i Apelit rihapi një rast që tashme ishte bërë i formës së prerë, si rezultat i vendimit të tij të mëhershëm të 24 korrikut 2010.

    Në vendim e mëhershëm, Kolegji i Apelit, në instancën e fundit, kishte përcaktuar palët e autorizuara për rastin.

    Parashtruesi pretendon se ky përcaktim përfundimtar për palët e autorizuara ishte konfirmuar nga Paneli i Pronësisë në vendimet e tij të 27 dhjetorit 2012, ku Kolegji i Pronësisë kishte deklaruar përcaktimin e palëve të autorizuara si res judicata.

    Për më tepër, parashtruesi deklaron se Kolegji i Apelit ia kishte refuzuar parashtruesit të drejtën që të njihet si palë në Apel, duke i mohuar kështu parashtruesit të kërkesës të drejtën që të paraqes rastin e tij.

    Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në dëm të Manastirit.

    Kushtetuesja ka konstatuar se dy vendimet e Kolegjit te Ankesave të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë të pavlefshme./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark