×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Arrestimi i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, lidhet me takimet ‘e fshehta’ me një politikan kosovar

    Insajderi
    24 January 2023 - 15:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Charles McGonigal, ish-zyrtari kryesor i FBI-së në SHBA, u arretsua një ditë më parë nën akuzën e përfitimit të shumave të mëdha të parave nga një oligark rus dhe nga një shqiptar, si edhe udhëtime të mbuluara në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, po nga një shtetas shqiptar.

    Po ashtu, edhe takimet me kryeministrin Edi Rama, sipas BIRN, janë organizuar nga një shqiptar që njihet si ‘këshilltari joformal’ i Ramës.

    Në atë që ngjan si një film me spiunazh, zyrtari i lartë i FBI-së rezulton se ka vizituar Tiranën në mënyrë të përsëritur, është takuar me kryeministrin shqiptar, me një politikan në Kosovë dhe dy politikanë në Bosnjë, ka marrë së paku 225 mijë dollarë nga një shqiptar me vendbanim në Nju Xhersi, i cili i ka siguruar këto para dhe të tjera përmes një rrjeti kompanish.

    I pyetur nga BIRN, zëdhënësi i kryeministrit Endri Fuga nuk iu përgjigj pyetjes se kush ka paguar për shpenzimet e udhëtimit të McGonigal në Shqipëri por deklaroi, pa dhënë shpjegime se “akuzat për Charles McGonigal nuk kanë asnjë lidhje me takimet e zyrtarit të FBI në atë kohë me Km Rama, në Shqipëri apo SHBA.”

    Kështu, Fuga hodhi poshtë akuzat, pa identifikuar ‘këshilltarin joformal’ të Ramës, që ka organizuar takimet mes tij dhe ish-zyrtarit të FBI-së.

    Ish-agjenti, Charles McGonigal u akuzua të hënën në gjykatën federale në Uashington, D.C., në lidhje me pranimin e 225,000 dollarëve gjatë kohës që punonte në FBI – nga një person që kishte interesa biznesi në Evropë, i cili kishte qenë një punonjës në shërbimin e inteligjencës në Shqipëri.

    Një artikull i “BuisnessInsider”, shkruante se McGonigal përdori adresën e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe një firme amerikane. Kjo e fundit, ishte menduar për tu kontraktuar për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe ai nuk u zhvillua kurrë.

    McGonigal, i cili akuzohet për deklarata të rreme dhe akuza të tjera në atë rast, gjithashtu dyshohet se nuk zbuloi, siç kërkohej, se gjatë një udhëtimi në tetor 2017 në Shqipëri dhe Kosovë, ai ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe me një politikan kosovar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark