Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka konfirmuar se shtetasi turk që u arrestua gjatë ditës së djeshme është Sedat Peker, një personazh kontrovers në Turqi që dyshohet për vepra të shumta penale. Peker tash e disa muaj po qëndronte në Maqedoninë e Veriut, respektivisht në një hotel në Petrovec të Shkupit.
Ai u arrestua me akuzën e shkeljes së rregullave të qëndrimit duke tentuar deportimin e tij për në Turqi. Por, gjatë procedurave Peker ka thënë se nëse do të depërtohej atje mund të përballej me tortura çnjerëzore duke kërkuar transferimin në një shtet tjetër siç është Kosova. Jozyrtarisht, thuhet se Peker ka pasaportë kosovare dhe se mbrëmë vonë është transferuar në Kosovë bashkë me ekipin e tij.
MPB nuk ka dashur të shtojë diçka më tepër në lidhje me rastin, përveç njoftimit zyrtarë:
“Më 18.01.2021 zyrtarë policorë nga Biroja për Siguri Publike kanë arrestuar R.S.P. 49 vjeçar, i cili ka qëndruar në vendin tonë, ndërkohë që ka shkelur rregullat për qëndrim të shkurtër. Pas konstatimit për shkelje të afatit të qëndrimit, personi në fjalë është dëbuar nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga MPB-ja.
Mjafton që të kërkohet në rrjetet sociale dhe do të shihet se Peker gjatë muajve të fundit ka pasur takime të shumta me politikan, funksionarë dhe biznesmenë në Maqedoni dhe në rajon.
Vitin e kaluar, respektivisht me 3 dhjetor ai ka qenë mysafir në Universitetin “Fon”, ku ishte takuar me pronarin Fiat Canovski, me 17 nëntor është takuar me kreun e komunës së Rastushës, Medat Kurtovski, ku Peker ishte prezantuar si biznesmen dhe kishte dhuruar pajisje për ndjekjen e mësimit online.
Peker akuzohet për një mori veprash penale në Turqi siç janë vrasja, gjobat apo trafiku i drogës. Ai u largua nga vendi në shkurt të vitit të shkuar duke u vendosur fillimisht në Mal të Zi dhe më pas në Kosovë dhe Maqedoni. Mediat turke raportojnë se Peker ka rivalitet me bosi e njohur të nëntokës turke Aalaatin Çakiçi, i cili së fundmi ka dalë nga burgu dhe ka mbështetjen e plotë të partisë aleate të Erdoganit në qeverisje, MHP. Raportohet se Çakiçi është shkaku i arratisjes së Pekerit nga Turqia për në Ballkan ku edhe u arrestua dje me qëllim deportimin për në vendin e origjinës.
Qysh dje, gazetari turk Ahmed Dinmez raportoi për arrestimin, ndër të tjera, shkroi se Packer kishte armiq në Turqi, përfshi këtu edhe Berat Albayrak, dhëndrin e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Gjatë qëndrimit në Kosovë ai ka kryer edhe disa vizita në vend duke takuar madje edhe kreun e komunës së hanit të Elezit, Rufki Suma si dhe ka pasur takime në komunën e Mamushës, ndërsa ka foto në Prizren bashkë me stafin që e shoqëron. /Insajderi.org