Policia e Kosovës arreston tre persona të dyshuar për ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Krejt kjo është bërë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të cilët kanë ndërmarrë operacionin policor, nën dyshimin e bazuar se disa persona të dyshuar po transportonin substancë narkotike, duke kryer me këtë rast veprën penale ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Pas realizimit të procedurave hetimore intensive, operacioni policor është zhvilluar në fshatin Shakovicë të Podujevës, me ç’rast janë ndaluar 3 persona të dyshuar, kurse një tjetër është në arrati, njofton Policia e Kosovës.
Njëri nga tre personat e dyshuar, tanimë i arrestuar nga policia, është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë operacion të arrestuar janë personat me iniciale G. D. (1974/m/sh/k); Sh. H. (1968/m/sh/k); A. H. (1970/m/sh/k).
Me urdhër të Gjykatës Themelore është bërë kontrollimi në pesë lokacione të ndara, dy në Prishtinë dhe tri në Pejë, ku gjatë këtij operacioni si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar dy automjete, 5200 gramë marihuanë, dhjetë telefona celularë, dy revole, 38 predha dhe 2500 euro.
Ndaj të dyshuarve me vendim të prokurorit është caktuar ndalimi prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore./Insajderi.com