Trajneri i Arsenali Mikel Arteta është ndarë shumë i kënaqur me performancën e skuadrës së tij në fitoren me rezultat 4-1 ndaj Crystal Palace në Premier Ligë.
Në mesin e golashënuesve ishte edhe mesfushori Granit Xhaka i cili po e vazhdon formën e tij fantastike duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit të kampionit në këtë sezon.
Pas ndeshjes, trajneri spanjoll zbuloi se para ndeshjes i kishte thënë Xhakës se do të realizonte gol.
“Kisha një ndjenjë sot dhe i thashë që do të shënosh sërish sepse kur e ke atë mentalitet dhe je aty dhe e shoh mënyrën se si ai stërvitet, gjëra të mira do të ndodhin dhe ai ka qenë fenomenal gjatë gjithë sezonit.”, tha Arteta.
Ai tutje foli edhe për paraqitjen e skuadrës në fushë duke thënë se ishte shumë i kënaqur me gjithçka që ka parë nga lojtarët e tij, përcjellë KosovaPress.
“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur me mënyrën se si e filluam lojën. Unë isha shumë i kënaqur me mënyrën se si reaguan pas të enjtes dhe i hoqëm çdo pikëpyetje. Ne treguam shumë vendosmëri në mënyrën tonë të lojës.”, theksoi ai.
Arsenali është lider i Premier Ligës me 69 pikë, tetë më shumë se Manchester City i vendit të dytë.