×
  • Lajme
  • Lajme

    “As jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, Kurti flet pasi Rama nuk u ngrit në këmbë t’i fliste

    Insajderi
    05 June 2024 - 22:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një shtrëngim i ftohtë duarsh dhe ngurrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u ngritur nga karrigia ku ishte ulur për të takuar Albin Kurtin në Samitin e Kotorrit më 16 Maj, nxori edhe më tej në pah raportin e ftohtë mes dy liderëve.

    Lidhur me atë video që bëri xhiron e rrjetit dhe u komentua gjatë në studiot televizive, shefi i qeverisë së Kosovës ka dhënë sqarimet e tij në intervistën në A2 CNN.

    Ajo ka qenë dita e dytë në Kotorr. Ne kemi folur ditën e parë, një ditë më herët. Nuk është se shiheshim aty për herë të parë në atë konferencë. Ka qenë një darkë e përbashkët. Po tani pse nuk është ngritur aty nuk e di. Më besoni unë as jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, tha Kurti.

    Sipas shefit të ekzekutivit kosovar në këtë rast është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi shumë i arrirë ne terren mes dy qeverive, për të sjellë sa më afër shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare.

    Kurti u vendos edhe përballë faktit se Edi Rama këmbëngul se nuk e ka falur për ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri me regjistrimin e siglës së Vetëvendosjes për të garuar. “Unë kisha thënë që mbajeni analizën politike të gjithë shqiptarët kudo që janë, mbajeni mendimin kritik por mos i shikoni raportet mes politikanëve, në këtë rast dy kryeministrat me syrin e Big Brother”, tha ai.

    PJESË NGA INTERVISTA:

    Ai ka qenë komunikimi juaj i fundit me kryeministrin e Shqipërisë?

    Po ai takimi në Kotorr, nuk kemi pasur takime të tjera.

    A e ndjeni nevojën e përmirësimit dhe intensifikimit të marrëdhënies, qoftë edhe ndërpersonale me të?

    Gjithmonë është mirë të bëjmë më shumë dhe më mirë, por këtë duhet ta bëjmë si shërbyes të popullit që jemi. Domethënë edhe ajo personale ka kuptim nëse është për diçka më shumë se personale. Nëse është diçka që është për të mirën e përgjithshme. Në këtë kuptim besoj se po kanë të drejtë qytetarët që besojnë se do të mund të ishte më mirë, më shumë e kështu me radhë. Por nuk është se puna në terren po na ngec siç mund të besoj ose dëshiroj dikush.

    Shumë është aluduar për shkaqet e destabilitetit të raportit tuaj. Ku është shkaku kryesor për këtë distancë tuaj mes kryeministrash shqiptarë?

    Nuk mund t’ia bëj analizën vetes, e as kryeministrit Rama. Le ta bëjnë analistët politik këtë gjë, por unë edhe njëherë po e ritheksoj, kemi mundur të bëjmë një ose dy mbledhje qeverish më shumë dhe mbase për shqiptarët kudo që janë shumë prej këtyre pamjeve që dalin kanë qenë të dëmshme, por punët në terren nuk është se na kanë ngecur. Prandaj edhe unë jam i lumtur dhe me shpresë tash që po flasim. Tregu i përbashkët energjetik është një arritje e rëndësishme, gjigande. Besoni për mua nuk është fort e rëndësishme a ngrihen njerëzit në këmbë, a ma japin dorën e djathtë apo të majtë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark