×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    ASK: Gjysmë milioni qytetarë janë regjistruar në dy javët e para

    Insajderi
    22 April 2024 - 11:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind të të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) të hënën.

    Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se procesi është duke shkruar “ashtu siç është planifikuar” dhe “pa sfida madhore”.

    “Deri më tani [21 prill] janë regjistruar, 530.000 persona, dhe janë regjistruar mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë. Po flasim për Kosovë për popullsinë rezidente. Stafi është stabilizuar këto ditë, ka filluar intervistat në mënyrë masive”, tha ai.

    Kastrati theksoi po ashtu se ky proces është duke u zhvilluar në të gjithë terrorin e Kosovës, dhe me të gjitha komunitetet, pavarësisht paralajmërimeve për bojkotimin e procesit nga komuniteti serb.

    “Të gjitha zonat janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim. Edhe komuniteti serb është duke marrë pjesë në të gjitha zonat dhe komunat. Jo në masë si në zonat e tjera, por ka filluar një regjistrim sado pak në javën e parë dhe presim që të ketë regjistrim edhe në atë pjesë”, shtoi ai.

    Më 5 prill kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

    Sipas Kastratit, deri më tani katër apo pesë ekonomi familjare kanë refuzuar të regjistrohen.

    “Jemi duke vazhduar procedurat ligjore, dhe të gjithë ata që refuzojnë, do të përcjellën sipas ligjeve në fuqi”, theksoi ai.

    Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

    Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark