×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ASK-ja si ministri Murati: Janë stabilizuar çmimet në Kosovë

    Insajderi
    25 May 2023 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës tash e disa ditë ka larguar rubrikën e prezantuar si ‘risi’ në uebfaqen e tyre, atë të çmimeve ditore të produkteve bazë. Madje është larguar edhe databaza ekzistuese e përcjelljes së trendit ditor të çmimeve.

    Një gjë të tillë nga ASK-ja e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi, pas interesimit për t’i pyetur se cila ishte arsyeja që ka ndodhur një gjë e tillë. Sipas tyre, çmimet e produkteve bazë janë normalizuar dhe menaxhmenti i tyre nuk e kanë parë të arsyeshme përcjelljen e këtij trendi.

    “Përcjellja e disa çmimeve në baza ditore është vendosur nga menaxhmenti i ASK-së në kohën kur kishte lëvizje të çmimeve brenda ditës dhe ka zgjatur përreth një vit. Tani që ka një stabilizim të çmimeve dhe ekziston publikimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) nuk e kemi parë të nevojshme që të vazhdohet edhe më tutje”, thuhet në përgjigjen e ASK-së nëpërmjet e-mailit për Insajderin.

    Shqetësimin për këtë e pati ngritur ish-zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë përgjatë Qeverisë Kurti I, Edison Jakurti, I cili tha se “gjendja në terren nuk përmirësohet duke e fshehë diagnostifikimin e saj”.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës jo veç që e ka ndalë observimin e çmimeve në bazë ditore, për një set produktesh bazike, por edhe i paska largu të dhënat nga databaza publike. A ka shpjegim për këto veprime? Fatkeqësisht, gjendja në terren nuk përmirësohet duke e fshehë diagnostifikimin e saj”, deklaroi Jakurti në ‘Facebook’-un e tij përpara një jave.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në qershorin e vitit të kaluar, pati vendosur që ASK-ja si agjenci e pavarur të transferohej në Zyrën e Kryeministrit.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, teksa iu referohej të dhënave të ASK-së të dielën e kaluar vlerësoi se çmimet kanë filluar të normalizohen, meqë inflacioni në muajin prill ishte 6,5 për qind.

    Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Nafta tashmë është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera”, deklaroi ai të shtunën e kaluar.

    Për këtë, ka reaguar të hënën kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili me anë të një grafikoni ka shpjeguar rritjen e çmimeve të produkteve bazë.

    “Pushteti na thotë se çmimet janë normalizuar. Një tjetër përpjekje mashtrimi. Po ja u vizatoj. Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127 euro”, deklaroi Abdixhiku në ‘Facebook’.

    “Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje. Burimi: Agjencia e Statistikave, nga vet Zyra e Kryeministrit”, tha më tej ai.

    Insajderi kishte pyetur qytetarët lidhur me këtë deklaratë të ministrit Murati, të cilët kanë kundërshtuar kategorikisht normalizimin e çmimeve. Disa nga ta kanë treguar se si dy dardha iu kanë kushtuar mbi një euro, teksa qytetarë të tjerë kanë komentuar edhe rritjen e çmimit të produkteve vendore në raport me ato të eksportuara. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    26 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark