09:14 - 25 Janar 2023

Propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet, ka thënë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në një intervistë për transmetuesin publik estonez, raporton Insajderi.

“Beogradi flet për këtë Asociacion, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet.”

Gërvalla tha se kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodh. “Nuk shoh ndonjë të drejtë që Kushtetuta jonë nuk ua garanton atyre [pakicës serbe]”, tha Gërvalla.

“Duke folur me partnerët dhe aleatët tanë, dëgjojmë se kjo duhet të jetë një lloj formacioni që u jep të drejta komunitetit serb, por unë nuk shoh ndonjë të drejtë që atyre nuk ua garanton Kushtetuta jonë”, u shpreh ajo.

“Nëse flasim për pushtetin ekzekutiv, shembulli më i mirë është Bosnja dhe Hercegovina, ku ata ngritën një mekanizëm, duke i dhënë një kombi një pushtet të tillë ekzekutiv që shteti të mos funksionojë më. Ne nuk do të bëjmë diçka të tillë në Kosovë”.

“Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme, ne jemi një vend multietnik, por dhënia e të drejtave të tilla që e paralizojnë vendin tonë dhe e bëjnë atë jofunksional, nuk do të ndodhë. Prandaj themi se po flasim për gjithçka, jo vetëm për asociacionin, që më në fund të arrijmë në njohje reciproke dhe të zbatohen të njëjtat parime për të dyja palët”, tha ajo për ERR, përcjell Insajderi.

Gërvalla tha se Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje në Marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2015, derisa tha se “nuk ka qeveri në botë që shkel Kushtetutën e vet”.

“Kjo kushtetutë përfshin të drejtat e zgjeruara të pakicave. Unë do të vë bast se kjo është kushtetuta që aktualisht mbron më së miri pakicat në Evropë”.

“Përveç kësaj, nëse Serbia dëshiron të flasë për të drejtat e pakicave, ne jemi të gatshëm të flasim përsëri për këtë, por nuk mund të flasim për këtë në mënyrë të njëanshme. Sepse në të njëjtën mënyrë ka një pakicë të shqiptarëve në Serbi. Për ne nuk është problem t’u japim serbëve të njëjtat të drejta siç u jep Serbia minoriteteve të saj”.

“Por, ne aktualisht garantojmë të drejta më të mëdha për pakicat se kushdo tjetër në rajonin tonë. Një Asociacion i tillë me qendër etninë është një zgjidhje e shekullit të 19-të. Në vitin 2023, ne e dimë se vendet multietnike kanë vlera të tjera dhe jo kombin në radhë të parë”.

Lajmi në përditësim….