×
  • Lajme
  • Insajderi Video
  • Insajderi / Insajderi

    Asociacioni në kundërpeshë me Njohjen, Visar Ymeri tregon metodën e “patkoit” për zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë

    Insajderi
    16 February 2023 - 15:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtori i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka një lexim të tij rreth metodës amerikane aktuale të zhvillimit të negociatave Kosovë-Serbi, veçanërisht në çështjen e bisedimeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kundërpeshë me njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.

    Pyetur nga Insajderi se si i sheh qëndrimet e palës kosovare e cila Asociacionin thotë se mund ta konsiderojë vetëm në formën e një OJQ-je dhe kërkesës së palës serbe që kërkon Asociacion substancial e cila mund të përbënte një shtresë të tretë qeverisje në vend, Ymeri vlerëson se negociatat e tashme edhe me angazhimin e amerikan po zvhillohen sipas asaj që quhet “negociata në formë të patkoit”.

    “Nuk më duket se është ideja e takimit në ‘mes’ për secilën temë, por më shumë po aplikohet, si të them, metoda e negociata që quhet negociata në formë të patkoit; e në të cilën në njërin skaj është qëndrimi i Kosovës dhe në skajin tjetër është qëndrimi ose kërkesa e Serbisë”, thotë fillimisht ai për Insajderin.

    Por, ç’është kjo metodë? Ymeri e ka fillimisht një shpjegim të thjeshtë.

    “Negociatat në patkua, idealisht, ose në formën e patkoit idealisht, do të nënkuptonin se dy shtete do të negocionin për dy tema të ndryshme; dhe Shteti A i thotë Shtetit B: 100% po ta pranoj kërkesën e djathtë nëse ju ma pranoni 100% kërkesën e majtë, sa për ta thjejshtuar kështu si shpjegim”, tha ai.

    “Dhe, tash, nga po e nxjerrë unë këtë? Nga deklarata e ambasadorit Derek Chollet-it i cili më duket në ‘Financial Times’ ose në shkrimin e përbashkët që e kishte me ambasadorin Escobar ku e ka dhënë një fjali shumë interesante. Pra, zgjidhja në njëfarë mënyre sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përqendrohet në njërën anë ‘të njohjes sa më të lartë të sovranitetit’ të Kosovës nga Serbia dhe në anën tjetër ‘një njohje të një autonomie sa më të lartë’ nga Kosova për serbët e Kosovës”, vlerësoi ai.

    Ymeri beson se tashmë sipas kësaj metode do të dizajnohet procesi dialogues për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Sa më shumë që kërkon autonomi për Asociacionin për serbët e Kosovës, aq më shumë duhet të jesh i gatshëm të japësh në raport me njohjen e Republikës së Kosovës; jo vetëm ‘de fakto’ por edhe ‘de jure’”, thotë ish-Kryetar i Lëvizes Vetëvendosje, Visar Ymeri për Insajderin.

    “Në anën tjetër, të Kosovës, sa më shumë njohje që kërkon, aq më shumë autonomi do të japësh. Pra, nuk është kaq e thjeshtë, natyrisht se ka kompleksitete në pika të ndryshme, mirëpo më shumë më duket që kështu do të jenë diskutimet tash e tutje, për këto dy çështje të cilat e kanë fituar një lloj ndërlidhje nëse s’e kanë pasur më herët; një lloj ndërlidhje të raportit të drejtë mes tyre”.

    Prandaj, vlerëson Ymeri “sa më lartë njohja, aq më lartë autonomia dhe anasjelltas”.

    “Dhe kështu të dyja palët pastaj në njëfarë mënyre obligohen që ose të jenë më dorëlirë në kompromiset e tyre ose të jenë më të moderuar në kërkesat e tyre”, tha Visar Ymeri për Insajderin./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark