×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Ata që janë në anën e Amerikës, janë në anën e së vërtetës” – Pse Albin Kurti nuk e dëgjoi Amerikën për targat?

    Insajderi
    01 November 2022 - 16:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dhjetë ditë pasi kryeministri Albin Kurti bëri deklaratën se ata që janë në anën e Amerikës janë në anën e së vërtetës, mori një vendim që u kundërshtua nga shteti më i fuqishëm në botë.

    “Rreshtimi i Kosovës me Amerikën përbëjnë dëshminë e partneritetit tonë dhe dallimin me ata që nuk u rreshtuan në anën e së vërtetës dhe të drejtës”, kishte thënë Kurti, por ditën e premte ai zyrtarisht refuzoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e afatit për targat.

    Gabriele Escobar gjatë qëndrimit në Prishtinë, i kërkoi Kurtit shtyrjen për 10 muaj të afatit për ndryshimin e targave serbe, duke potencuar se kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por edhe e gjithë Quintit.

    Escobar tha gjithashtu se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i ka kërkuar Kurtit ta shtyjë afatin për targat.

    “Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të Quintit dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar.

    Përkundër këtyre thirrjeve, Kurti nuk e shtyu afatin për dhjetë muaj, por të premten tregoi përmes një konference për media se nga 1 nëntori nuk do të konfiskoheshin veturat e qytetarëve serb, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, vendimi do të nis së zbatuari në tri faza.

    Sot veç se ka nis qortimi ndaj serbëve të cilët nuk ndërrojnë këto tabela.

    Pas kësaj nga data 21 nëntor deri më 21 janar, nis faza e dytë që parasheh sipas tij që të gjithë pronarët e automjeteve të cilat kanë targa serbe në Kosovë, do të gjobiten me nga 150 euro.

    Përpos kësaj, pas këtij afati parashihet që serbët të kenë mundësinë e vendosjes së targave provuese, e pas 21 prillit në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa të lartcekura.

    Ky plan i Kurtit i zhgënjeu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve më të ngushtë ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për implementimin e vendimit për targat.

    Price tha se SHBA-të bashkë me partnerët tjerë e kanë bërë të qartë se kërkojnë një shtyrje të plotë.

    “E kemi bërë të qartë që Kosova duhet ta shtyjë periudhën e implementimit. Jemi të dëshpëruar dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve më të ngushtë ndërkombëtar për implementimin”, deklaroi ai.

    Price tutje është pyetur për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për të ndarë në disa faza implementimin e një vendimi të tilla, teksa tha se SHBA-ja ka qenë e qartë edhe publikisht por edhe privatisht dhe se kanë kërkuar shtyrje të plotë të afatit për targat.

    Duhet përkujtuar që Qeveria e Kosovës kishte vendosur që afati për targat të përfundojë sot, por më pas ky vendim u shndërrua në diçka tjetër.

    “Ne kemi qenë të qartë edhe publikisht edhe privatisht që SHBA bashkë me aleatët tjerë kërkojnë shtyrje të plotë të implementimit. Ne s’kërkojmë implementim të pjesshëm apo implementim në faza. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të implementimit”, ka thënë Price duke shtuar se diskutimet po vazhdojnë ende.

    Cilat mund të jenë pasojat e qëndrimit refuzues të Kurtit karshi ndërkombëtarëve?

    Gazetën Insajderi ka kontaktuar njohësit e çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi e Ismail Tasholli.

    Publicisti Shkelzen Maliqi argumenton se arroganca dhe mospërfillja ndaj kërkesës që aplikimi i targave të shtyhet për 10 muaj është dritëshkurtësi politike dhe diplomatike.

    “Të tregohesh mospërfillës dhe arrogant ndaj kërkesës që aplikimi i targave të shtyhet për 10 muaj, ku nuk kontestohet e drejta e ndërmarrjes e një mase të tillë, është miopi politike dhe diplomatike. Nuk është presion që prek në esencën e çështjes, por nga Kurti kërkohet që t’ua jap edhe një afat përpjekjeve diplomatike që të zbuten qëndrimet serbe, që të binden edhe serbët e Kosovës, e edhe pushteti në Beograd, se është në interesin e tyre, që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse ku do të duhej të ishte e integruar edhe ajo e targave” – tha fillimisht ai.

    Tutje, Maliqi shtoi se Kurti me këtë mospërfillje po i bën favor ekstremizmit serb, dhe po u nxjerrë punë pa nevojë forcave të KFOR-it.

    “Me refuzimin arrogant, Kryeministri Kurti i bën favor ekstremizmit serb që rebelojnë popullsinë në veri të Kosovës dhe bllokojnë rrugët, iu nxjerr pa nevojë pune forcave të KFOR-it, dhe legjitimon brengosjen e Beogradit se kinse pakica serbë në Kosovë është e torturuar dhe i kufizohen të drejtat” – shtoi ai.

    Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Ismail Tasholli thotë se kemi mbërritur në një fazë qesharake.

    Sipas tij po mundohemi me iu tregu Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova është shtet dhe se kërkesat e tyre janë absurde, duke shtuar se kërkesat po adresohen ndaj atyre që e “lindën” këtë shtet.

    “Relacionet me Amerikën (lexo Escobarin) nuk duhet te ndërtohen mbi premisa te taktizimit, por të partneritetit strategjik. Sepse, kam përshtypjen që ligjërimi publik i Qeverise është anomalik, kemi mrri në fazën më qesharake të mundshme: po mundohemi t’ua dëshmojmë Shteteve te Bashkuara te Amerikës që Kosova është shtet dhe kërkesa e tyre është absurde. Ata po thonë ish dashtë ta bëni ketë, ne po themi jo, sepse jena shtet. Po ju themi atyre qe e “lindën” ketë shtet“- tha Tasholli. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark