Atdhe Nuhiu u konsiderua nga të gjithë si lojtar i mbaruar, pasi i dha fund eksperiencës me Kombëtaren e Kosovës.
Mirëpo, sulmuesi kosovar duket se u është rikthyer kohëve të arta.
33 vjeçari po shkëlqen në futbollin austriak, ku i ka realizuar plot 6 gola dhe e ka bërë një asistim në vetëm katër ndeshje me ekipin SCR Altach, përfshirë këtu kampionatin dhe kupën.
Në fundjavën që shkoi, ish-futbollisti i Sheffield Wednesdayt ishte hero i ekipit të tij në fitoren 3:2 ndaj Austria Vjenës pasi i realizoi dy gola nda ekipit kryeqytetas.
Madje, të dytin e gjeti vetëm në minutat shtesë dhe kjo e bëri fitoren edhe më të ëmbël.
E pa dyshim, merita të mëdha për këtë këndellje të sulmuesit shtatlartë ka trajneri i tij, Miroslav Klose.
Legjenda gjermane e mori në dorë ekipin austriak, i cili pas tri xhirosh të zhvilluara gjendet në vendin e tetë me 1 fitore, 1 barazim e 1 humbje, respektivisht me 4 pikë të grumbulluara.
Ish-futbollisti i Bayern Munichut dhe Lazios ndihet i lumtur me fitoren e madhe të fundjavës që shkoi, ndërsa e ka përgëzuar ekipin me paraqitjen, përfshirë këtu edhe Nuhiun.
Sulmuesi nga Lugina e Preshevës i ka shënuar 4 gola në kampionatin austriak dhe 2 në Kupën e Austrisë, shkruan “Gazeta Express”.
Nuhiu nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq dhe pas fitores së parë kampionale, do të mundohet ta ndihmojë ekipin me gola të tjerë në arritjen e objektivave.
Gjatë karrierës, Nuhiu ka luajtur përkohësisht për Austrinë U-21 para se t’i bashkohej Kosovës.
Ndërsa, sa u përket ekipeve, ai ka luajtur në Wels, Austria Karnten, Ried, Rapid Wien, Eskisehirspor, Sheffield Wednesday dhe APOEL, para se të rikthehej në futbollin austriak vitin e kaluar.