×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Autori i raportit të PE-së flet për Insajderin – nuk arrin t’i argumentojë faktet se si ndikoi Grenell në rrëzimin e Qeverisë Kurti

Insajderi
10 December 2020 - 18:47
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Autori i raportit të porositur nga Parlamenti Evropian (PE) nuk ka arritur të argumentojë faktet sesi ka ndikuar administrata Trump në rrëzimin e Qeverisë Kurti. Ai thotë se këtë e ka bazuar në media dhe analistë. Media këto të financuara nga ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi që vjen nga radhët e Vetëvendosjes.

Drenusha Canolli

Katër autorët e raportit që u porositën nga Komiteti i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në studimin e tyre për lajmet e rreme në Ballkanin Perëndimor, në kapitullin ku flasin për Kosovën kishin theksuar se në marsin e këtij viti ishte rrëzuar qeveria e drejtuar nga Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nga ndikimi i të Dërguarit Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, që kishte bërë në senatorin amerikan, David Perude në djalin e ish-presidentit Donald Trump dhe në dezinformatat.

Mirëpo njëri nga këta katër autorë nuk ka arritur të argumentojë për Gazetën Insajderi faktin se në çka janë mbështetur në gjetjet e tyre kur thonë se Grenell ka bërë presion tek senatori Perude dhe Donald Trump Jr,  për të deklaruar se Amerika do t’i largojë trupat e saj nga Kosova.

Sammuel Green, në një përgjigje për Insajderin ka thënë se ata informacionet për këtë i kanë marr në mediat të cilat më së miri e pasqyrojnë dhe i japin informacionet e duhura në Kosovë.

“Në përgjithësi, arsyetimi dhe burimet tona për rastin Grennell janë të detajuara në studim dhe shënimet në fund të faqes japin përmbledhjen më të mirë të mundshme të vendit ku i morëm informacionet tona. Siç do ta keni vërejtur, ne u përpoqëm të përdorim gjuhë të kujdesshme – në atë rast dhe në shumë të tjerë – sepse studimi i dezinformimit në vetvete përfshin shumë zona gri”, ka thënë Green për Insajderin.

Duke mos argumentuar me asnjë fakt, Green ka thënë se gjetje e tyre për Grenellin është e saktë.

“Por duke kërkuar raportimin dhe analizën e botuar nga gazetarë hulumtues dhe analistë politikë në Kosovë, Evropë dhe ShBA, kemi arritur në përfundimin e atë se çka kemi pasqyruar në studim është i saktë”, ka thënë Green.

Mediat kosovare të cituara në studimin e prezantuara në Parlamentin Evropian janë, “Ballkan Insight” dhe “Pristina Insight”.

Të dyja këto media, janë prodhime të BIRN, media kjo që një kohë është përkrahur “Fondacioni Rockefeller Brother”, ku ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi që vjen nga radhët e Vetëvendosjes, ka qenë drejtor ekzekutiv.

Dezinformimet e raportit të PE-së

Ndonëse raporti të cilën ata e kishin për qëllimin efektin e “Lajmeve të Rreme”, në Ballkanin Perëndimor dhe dezinformimin, ata dezinformuan vetë kur përmenden mediumin Klan Kosova.

Në studimin e tyre ata kanë shkruar se ky medium është i drejtuar nga mandati mediatik, Aleksandër Frangaj. E që në fakt Klan Kosova, drejtohet nga Adriatik Kelemendi.

Këtë dezinformim Green e ka pranuar. Ai ka thënë se nuk ka ndonjë përgjigje të menjëhershme por do të shqyrtohet dhe gabimet e tilla do të korrigjohen.

“Faleminderit që ngritët çështjen e pronësisë së Klan Kosova. Unë do të pranoj që unë nuk jam ekspert i peizazhit mediatik në Kosovë, dhe kështu që nuk kam një përgjigje të menjëhershme në pyetjen tuaj. Sidoqoftë, kolegët e mi dhe unë do ta shqyrtojmë atë, dhe ne do të publikojmë çfarëdo korrigjimesh që kërkohen”, ka thënë Green për Insajderin.

Green ka shtuat se “Nëse ka ndonjë informacion tjetër që mund të siguroj dhe që do t’ju shërbejë, ju lutem më tregoni”.

Shkrimi i porositur nga Parlamenti Evropian, ia huq edhe në një rast tjetër kur thotë se RTV Besa është “pronë e shtetit”, ndërsa e njëjta është vetëm një media lokale me qendër në Prizren.

Samuel Green, Gregory Asmolov, Adam Fagan dhe Borjan GJuzelov janë katër autorët që u porositën nga Komiteti i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), për të përgatitur një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor.

Një studim prej 103 faqesh i publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian me titull “Hartimi i Lajmeve të Rreme dhe Dezinformimi në Ballkani Perëndimor dhe Identifikimi i Mënyrave efektive kundër tyre”, përfshihet edhe Kosova në dy faqe, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky studim që tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020, shpjegon se si funksionoi kjo dukuri edhe në Kosovë.

Sipas dokumentit të këtyre katër autorëve shpjegohet se si angazhimi i administratës Trump me vetëm një postim në rrjetin social Twitter, bëri që Qeveria e Kosovës, atë kohë e udhëhequr nga Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje të rrëzohej.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark