×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Avdullah Hoti ia vazhdon mandatin në Bord të Aviacionit Civil djalit të deputetes së LDK-së

    Insajderi
    07 October 2020 - 20:05

    Ardian Gaxherri, djali i deputetes së LDK-së, Besa Gaxherrit, do të jetë edhe për një mandat anëtar i Bordit të Aviacionit Civil. Vendimi është marrë sot nga kabineti i Avdullah Hotit.

    Ardian Gaxherri do të jetë edhe për një mandat anëtar i Bordit të Autoritet të Aviacionit Civil (ACC).

    Përbërja e Bordit, pjesë e të cilit do të jetë edhe Gaxherri, është votuar sot nga kabineti i Avdullah Hoti.

    Ky vendim i nënshkruar nga Kryeministri ia vazhdon mandatin në këtë Bord, djalit të Besa Gaxherrit, deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila e mban pushtetin së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate.

    “Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil në këtë përbërje: Skender Halili, kryesues; Ardian Gaxherri, anëtar; Myzejene Selmani, anëtare; Jeton Paloka, anëtar; Nazlie Krasniqi-Korçaj, anëtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes së 34-të, që është mbajtur sot, shkruan Gazeta Insajderi.

    Besa Gaxherri dhe djali i saj Ardiani|Foto: Facebook

    Djali i deputetes së LDK-së, Gaxherrit, ishte akomoduar në Bordin e Aviacionit Civil, në qershor të 2016-ës.

    Atë kohë – vendimi për emërimin e tij ishte marrë vetëm pak muaj pasi nëna e Gaxherrit – qëndroi në seancën e Kuvendit kur Hashim Thaçi u zgjodh President i vendit, në shkurt të 2016-ës.

    Emërimi i Gaxherrit në Bord të Aviacionit Civil ishte bërë si “shpërblim” për deputeten e cila ia kishte bërë Thaçit kuorumin e nevojshëm për t’u zgjedhur President.

    Deputetja e Isa Mustafës kishte vendosur të qëndrojë në atë seancë, pavarësisht deklarimeve të saja të vazhdueshme, atë kohë, se ishte kundër që Hashim Thaçi të ulej në karrigen ku vite më parë ishte ulur Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, shkruan Gazeta Insajderi.

    Momenti kur Hashim Thaçi është zgjedhur President pas votave dhe mbështetjes së LDK-së|Foto: Google

    Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil.

    AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.

    Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit./GazetaInsajderi

    Lexo edhe:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark