Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Avni Arifi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të projekteve zhvillimore dhe për përdorimin e fushatës elektorale për propagandë në vend të llogaridhënies.
Duke komentuar një video të publikuar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku ajo porosit një “espresso 70-she”, Arifi tha se kjo tregon mungesën e rezultateve konkrete pas gjashtë vitesh qeverisjeje.
“Ministrja e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës nuk ka progres çka me promovu dhe del në fushatë duke porositur një espresso 70-she. Paramendo në çfarë derexhe ka ardhur shteti i Kosovës kur ministrja që është përgjegjëse për zhvillimin ekonomik nuk ka asnjë projekt për të treguar”, deklaroi Arifi.
Ai ironizoi mesazhin e videos, duke thënë se në vend të reklamave elektorale, qytetarët meritojnë përgjigje për projektet dhe investimet e realizuara gjatë mandatit.
“Në vend që me dalë para qytetarëve e me tregu çka kanë ba në këto gjashtë vjet, dalin e porosisin espresso 70-she. Jo, zotëri, kallxoni çka keni ba. Ku i keni harxhu 20 miliardë euro? Çka ka mbetë mbrapa jush? Cili projekt i madh? Cila rrugë? Cili spital? Cila reformë?”, tha ai.
Arifi kritikoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai nuk ka vizion për zhvillimin e vendit dhe se po përsërit të njëjtat premtime që kishte dhënë edhe në zgjedhjet e vitit 2021.
“Ky njeri nuk ka projekt për këtë vend. Nuk ka me zhvillu këtë vend. Premtimet që ua ka dhënë qytetarëve në vitin 2021, do t’ua japë të njëjtat edhe në vitin 2030, sepse nuk ka vizion për Kosovën”, u shpreh Arifi.
Në deklaratën e tij, kandidati i AAK-së ngriti edhe çështjen e përfshirjes së fëmijëve në aktivitetet politike, duke e cilësuar këtë si të papranueshme.
“Kjo është eksploatim i fëmijëve për qëllime politike. Marre duhet me i ardh kryeministrit në detyrë”, deklaroi Arifi.