Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka publikuar një pjesë nga intervista e tij në emisionin “Rubikon”, ku ka folur për procesin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës dhe sfidat politike që e kanë përcjellë atë periudhë.
Arifi, i cili në atë kohë kishte ushtruar detyrën e shefit të stafit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se kishte presione të shumta nga qarqe të ndryshme që ushtria të mos formohej.
“Ajo ka qenë një ngjarje që rrallë herë e përjeton një njeri që merret me këtë zanat. Atëherë ka pas shumë fjalë dhe shumë presion nga qarqe të ndryshme që Ushtria e Kosovës të mos krijohej”, është shprehur Arifi.
Ai ka treguar se, pasi ishte parë vendosmëria e Haradinajt për ta çuar përpara procesin, kritikat dhe presionet drejtoheshin shpesh tek ai, me idenë që mesazhet do t’i përcilleshin kryeministrit të atëhershëm.
Në mbishkrimin e videos së publikuar në Facebook, Arifi ka vlerësuar rolin e Haradinajt në një prej proceseve më të rëndësishme të shtetndërtimit.
“Ushtria e Kosovës nuk u bë me fjalë e konferenca për shtyp në prag të zgjedhjeve, por me vendimmarrje, guxim dhe koordinim me aleatët. Vendosmëria e Ramush Haradinajt ishte kyçe”, ka shkruar Avni Arifi.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me deklaratën: “Krenarë me Ushtrinë e Kosovës”.