Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se opozita po përballet me një garë të pabarabartë zgjedhore.
Përmes një postimi publik, Arifi ka deklaruar se partia në pushtet disponon burime të mëdha financiare dhe po shfrytëzon infrastrukturën shtetërore për qëllime elektorale.
“Po garojmë me partinë më të pasur pas partisë së Vuçiqit në Ballkanin Perëndimor. Për gjashtë vjet i ka marrë nga shteti i Kosovës 15 milionë euro. Parti milionere që mashtron vullnetarë me i kry punë partie”, ka shkruar Arifi.
Ai ka pretenduar gjithashtu se qeveria ka shpërndarë mjete financiare në prag të zgjedhjeve me qëllim të fitimit të mbështetjes elektorale.
“Dy javë para zgjedhjeve i ka shpërndarë në popull 100 milionë euro, e sidomos te kategoritë e ndjeshme që besojnë se Albin baba po ua fal”, ka deklaruar ai.
Sipas Arifit, opozita po përballet edhe me përdorimin e resurseve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore.
“Po garojmë kundër krejt infrastrukturës së shtetit të kapur: vetura të shtetit, zyrtarë të shtetit, naftë të shtrenjtë të shtetit”, është shprehur kandidati i AAK-së.
Ai ka kritikuar edhe gjuhën e përdorur në rrjetet sociale, si dhe mënyrën e zhvillimit të fushatës nga kundërshtarët politikë.
“Po garojmë kundër një ushtrie të ligë të njerëzve të ndytë që janë inkurajuar të shajnë në Facebook. Po garojmë kundër një lideri që, për qëllime politike, i eksploaton fëmijët për shpërndarje propagande dhe mallkim edhe në emër të Zotit”, ka thënë Arifi.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë para ditës së votimit.
“Popull i Kosovës, zgjohu prej gjumit se e keqja ta ka marrë anën”, ka përfunduar Arifi.