Avokati, Ardian Bajraktari ka njoftuar për publikimin e monografisë “Padia ndaj aktit nënligjor normativ në gjykimin administrativ”, një vepër shkencore e realizuar në bashkëpunim me Florent Muçajn dhe Besim Kajtazin.
Sipas Bajraktarit, instituti i padisë ndaj aktit nënligjor normativ, i paraparë me Ligjin e ri për Konfliktet Administrative, ka sjellë zhvillime të rëndësishme në praktikën gjyqësore në Kosovë. Ai thekson se, brenda një periudhe të shkurtër, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar një numër të konsiderueshëm aktesh nënligjore normative, duke ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve.
Sipas autorëve, ky mekanizëm juridik u ka mundësuar kategorive të ndryshme të qytetarëve, përfshirë pensionistët, veteranët e UÇK-së dhe zyrtarët e administratës publike, të sfidojnë në mënyrë efektive aktet e paligjshme të administratës.
Monografia trajton konceptin, llojet dhe natyrën juridike të akteve nënligjore normative, procesin e hartimit të tyre dhe raportin me parimet themelore të procesit legjislativ. Gjithashtu, ajo analizon mekanizmat e kontrollit të ligjshmërisë së këtyre akteve dhe procedurat për shfuqizimin e tyre në gjykimin administrativ.
Një kapitull i veçantë i kushtohet padisë për shfuqizimin e akteve nënligjore normative, duke përfshirë analizën e akteve që mund t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor, palët në procedurë, afatet ligjore, masat e përkohshme, procedurën gjyqësore dhe pasojat juridike të vendimeve të gjykatës.
Po ashtu, autorët trajtojnë kompetencën e Gjykatës Supreme në këtë fushë dhe praktikën e saj gjyqësore, përfshirë raste konkrete të shfuqizimit të akteve nënligjore normative dhe ndikimin e këtyre vendimeve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Sipas Bajraktarit, monografia synon të ofrojë një kontribut të ri në doktrinën juridike dhe praktikën e të drejtës administrative në Kosovë.