Ben Emmerson, mbrojtës i liderit të AAK-së, është emëruar anëtar i Kolegjit të Apelit, i cili do të shqyrtojë ankesën e Tribunalit të Hajgës kundër vendimit për lirimin e Vojisllav Sheshelit.
Presidenti i Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, Theodor Meron, ka emëruar të martën gjyqtarët, të cilët në instancën e dytë do të trajtojnë ankesën e kryeprokurorit të Tribunalit kundër shpalljes së Vojisllav Sheshelit si të pafajshëm.
Në mesin e pesë gjykatësve të emëruar është edhe Ben Emmerson, avokat i Ramush Haradinajt gjatë ballafaqimeve të tij me Tribunalin e Hagës, njofton “dialogplus.ch”. Kolegjin e Apelit do ta kryesojë gjyqtari amerikan Theodor Meron.
Emmerson e ka mbrojtur dy herë me sukses Haradinajn në Hagë. Për herë të parë lideri i AAK-së u lira nga akuzat për krime luftë në vitin 2008.
Në Kolegjin e Apelit në procesin kundër Sheshelit do të jenë edhe një gjykatës nga Kameruni, një nga Kenia dhe një nga Portugalia. /Insajderi.com