Avokati i kontabilistit të Mc Food hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë, tregon se ku ndodhej klienti i tij në momentin e aksionit të Policisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Avokati i kontabilistit të Mc Food hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë, tregon se ku ndodhej klienti i tij në momentin e aksionit të Policisë

    Insajderi
    11 September 2021 - 23:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre muaj kanë kaluar nga rasti që tronditi Kosovën. 400 kg kokainë u zunë në qytetin e Lipjanit. U arrestuan 7 persona. Në mesin edhe tyre edhe Bajram Maliqi, kontabilisti i kompanisë Mc Food, aty ku u krye i gjithë aksioni i Policisë.

    Për InDoks ka folur avokati i Bajram Maliqit, Ilir Shaqiri, i cili gjithë ngjarjen e përshkroi si show të organeve të ndjekjes. Ai hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë e cila pati deklaruar se të dyshuarit ishin zënë në flagrancë në vendin ku ndodhej sasia e drogës. Avokati thekson se klienti i tij ndodhej në zyrë e cila ndodhet në ndërtesën tjetër.

    “Mund të them që më shumë ka qenë një bujë mediatike, sepse fillimisht u cekën se 2 mijë kg kokainë janë në pyetje pastaj duke rënë në 400-600 kg dhe ishte një show i organeve të ndjekjes penale lidhur me këtë çështje, mirëpo ajo çka është me rëndësi është të ceket, është e vërtetë që ajo kokainë është zënë në depot e MC Food, mirëpo se i përket pretendimeve të organet të ndjekjes se janë zënë në flagrancë lidhur me këtë substancë narkotike mund të them lirisht se fokusi im është në mbrojtjen e kontabilistit, Bajram Maliqi se i njëjti është krejt në një tjetër ndërtesë dhe se mënyrë se si është duke iu qasur organi i ndjekjes penale në këtë çështje”, ka thënë avokati Shaqiri për InDoks.

    Sipas avokatit të kontabilistit është e habitshme qasja e Prokurori së Shteti ndaj këtij rasti. Edhe ai si palët tjera mbrojtëse të të akuzuarve insiston se nuk ka prova dhe se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në paraburgim.

    “…pos dyshimit të bazuar se ajo kokainë është zënë aty, se për kontabilistin ka qenë në dijeni për këtë dërgesë, fundja edhe për mishin që është duke ardhur nga Brazili që farë këto nuk qëndrojnë sepse nga strukturat organizative e MC Food-it, pozita e tij në këtë strukturë është kontabilist dhe përgjegjësit e tij janë të përcaktuara edhe me kontratë dhe që përfshimë një mori të veprimeve të tij që kanë të bëjnë me kalkulimin e të hyrave dhe të dalurave të kompanisë, që kanë të bëjnë me kalkulimin e pagave, shpenzimeve të ndryshme, pastaj raportimet në auditorë, raportimet dhe deklarimet financiare në ATK”.

    “Për mua personalisht, sa i përket të mbrojturit tim është për çudi për të thënë se si është e mundshme që tani gati se u bënë 4 muaj kur edhe e kemi kërkesën e dytë për paraburgim ende i njëjti gjendet në paraburgim në mënyrë të kundërligjshme, pa asnjë provë të artikuluar nga organi i ndjekjes penale se i njëjti të jetë i implikuar në kryerjen e veprës penale drejtpërdrejt apo tërthorazi”, tha ai.

    Ky avokat nuk e përjashton edhe mundësinë që Prokuroria në këtë rast, është nën presion të publikut, dhe edhe po pati, por edhe po nuk pati prova, vazhdon që të insistoi në mbajtje në paraburgim të të dyshuarve.

    “Mund të them se fillimisht ka qenë bumi mediatik me këtë çështje e cila edhe ka ndiku në punën e organit, në këtë rast prokurorisë dhe policisë mirëpo atë çfarë unë e shoh në këtë proces se është e natyrshme për tu kuptu se në këtë rast të rëndë nevojitet një kohë shumë ma e madhe për hetime dhe grumbullimin e provave por përderisa nuk ka asnjë informacion se cilët dëshmitarë janë marrë në pyetje sepse në kërkesë nuk janë, fundja me iniciale, nuk ka prova të tjera të cilat p.sh mund të inkorporojnë të gjithë të pandehurit duke e përfshi edhe të mbrojturin tim, nuk mund të them që është neglizhencë por një pamundësi për të ardhur deri tek provat dhe se më shumë janë duke u marrë me parafrazim të dispozitave sesa që janë duke ardhur deri tek përfundimi se a është kry apo jo vepra penale dhe se kush është përgjegjës”, deklaron avokati.

    Ai hedh dyshimet se mauna me kokainë ka përfunduar gabimisht në oborrin e kompanisë Mc Food.

    “Rrjedhja është që vërtetë, mishi që ka ardhur në depo e MC Food-it, normalisht se e ka pasur vendin e origjinës se prej ku është nisur, fillimisht duhet të shihet se ajo maunë a është prekur gjatë udhëtimit a ka ndonjë dëmë, duhet të mirren edhe informacione të tjera se kush është i përfshime a ka pasur një desitnacion krejtësisht tjetër, apo për arsye se ka qenë nën masat e vëzhgimit, nuk është ndalë tek vendi ku e ka pasur destinacionin por fatkeqësisht ka ardhur tek depo e Mc Food-it pa shkak të justifikum”.

    Prokuroria Speciale e ka marrë që ta zbardhë këtë rast. Deri tash dihet që në një kompani kosovare, në depon e saj u kap një kamion që kishte 400 kilogramë kokainë të pastër. Ekspertët kanë llogaritur që po të arrinte tregun final, vlera e saj mund të shkonte në 1 milionë euro. Ndoshta edhe më shumë.

    Dokumentari i plotë:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark