Insajderi
Lajme

Avokati Kola: Prokuroria gabimisht arrestoi klientin tim për keqpërdorim votash, u bazua në “tronditje të opinionit publik” e jo në prova e fakte

Insajderi
29 January 2026 - 14:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati Kola: Prokuroria gabimisht arrestoi klientin tim për keqpërdorim votash, u bazua në “tronditje të opinionit publik” e jo në prova e fakte
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Mbrojtësi i të pandehurit Nderim Bytyçi, të dyshuar për tjetërsim votash në Malishevë, avokati Prek Kola, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke e cilësuar atë si të pabazuar në prova konkrete dhe të paarsyetuar ligjërisht.

Sipas avokatit Kola, prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e “dyshimit të bazuar”, pasi provat e bashkangjitura në kërkesë nuk artikulojnë qartë veprimet konkrete që i atribuohen të mbrojturit të tij. Ai theksoi se në dispozitivin e kërkesës thuhet se vepra penale është kryer në bashkëkryerje, por prokuroria nuk ka specifikuar asnjë emër të bashkëkryerësve të dyshuar.

“Poashtu pretendon se i ka keqpërdorur votat, dhe nuk spjegon, dhe specifikon rolin e të mbrojturit tim se në cilën mënyrë e ka falsifikuar votën, çoftë në fletëvotim, apo përmes vendosjes së rezultateve në sistemin faqen e KQZ-së. Pra, këto eprime, prokuroria nuk i saktëson, sa i përket të mbrojturit tim”, ka thënë Kola në seancën që po mbahet për të dyshuarit e arrestuar për manipulim me vota në Malishevë.

Avokati Kola tha se prokuroria nuk ka arsyetuar as dy kushtet tjera ligjore për paraburgim, rrezikun e asgjësimit të provave dhe ndikimin në dëshmitarë. Sipas tij, rezultatet zgjedhore janë tashmë të sigurta në institucionet përkatëse dhe janë identifikuar lëshimet apo gabimet teknike, duke e bërë të pamundur çdo ndikim nga ana e të mbrojturit të tij.

Ai kritikoi gjithashtu arsyetimin e prokurorisë lidhur me “tronditjen e opinionit publik”, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga opinioni publik, por të bazohet vetëm në fakte dhe prova.

Në përfundim, avokati Prek Kola i propozoi gjykatës që të refuzojë kërkesën për paraburgim dhe ndaj Nderim Bytyçit të caktojë një masë më të butë, siç është arresti shtëpiak, e cila, sipas tij, do të siguronte rrjedhën normale të procedurës penale. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark