×
  • Lajme
  • Insajderi

    Avokati njofton për shkathtësitë negociuese të Ridvan Muharremit: Si 22 vjeçar e ka sjell Samsungun në Jugosllavi

    Insajderi
    22 August 2023 - 20:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në seancën gjyqësore ku u vendos masa e paraburgimit për Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë të MINT-it për keqpërdorim me rezerva shtetërore, pati deklarata të çuditshme nga avokati i mikut të Kurtit, Mahmut Halimit. Ky i fundit në studio televizive tregoi “aftësitë e shkëlqyera negociuese” të Ridvan Muharremit.

    Halimi në T7 rrëfeu se si kuzhinieri i kryeministrit në moshën 22-vjeçare gjatë ish-Jugosllavisë e solli i pari përfaqësinë e kompanisë jugo-koreane “Samsung”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Thotë kemi informata dhe thotë të lutem se është nevojë e domosdoshme, po kërkojmë ndihmën tënde. I kanë thanë vetëm kemi informata, dhe mos pyet më andej. Edhe pse ky e ka shtru pyetjen, por nuk ia kanë dhënë emrin. Ky thotë se po e konsideroj privilegj të madh këtë besim. Thotë se është shumë vështirë, por do të përpiqem përmes lidhjeve të mija. Z.Ridvan si 22 vjecar, ka arritur që ta sjell Samsungun në Jugollsavi. Ka qenë përfaqësues gjeneral i Samsungut. Pas një viti e gjysmë e solli selinë në Prishtinë”, deklaroi ndër të tjera avokati i “Ridit”.

    Ai, ndër të tjera, tregoi se si Muharremi mori telefonatë prej dikuj nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) që ta negocionte çështjen e rezervave shtetërore. Sipas tij, Muharremi më pas është ftuar nga ministrja Rozeta Hajdari në takim.

    “Ai i ka thënë se unë nuk merrem me tregtinë, por që kam disa miq në Turqi dhe për shkak të kësaj miqësie, të ftoj të jesh mysafir i imi në Turqi. S’ke nevojë të shpenzosh fare. Ndërkohë do të kontaktoj me miqtë e mi që merren me tregtinë e gjërave ushqimore, për drithë është fjala. Për gjithçka kur ka filluar kontakti i parë lidhur me gjetjen e tregut të grurit. Kjo kompania që po përmendet këtu, është e katërta. Përmes disa lidhjeve ky turku, kanë arrit që me i bind me u përpjek me siguru një sasi të grurit. Vazhdimisht kanë komunikuar me ministrinë. Me kryeministrinë s’ka pas lidhje, por me përfaqësuesin e MINT”, ka thënë ndër të tjera avokati Halimi.

    Avokati edhe në seancë gjyqësore e “ngriti në qiell” klientin e tij. Në vendimin që u sigurua nga Betimi për Drejtësi, Mahmut Halimi, avokati i Ridvan Muharremit, citohet të ketë thënë se klienti i tij e la Zelandën e Re për Kosovën dhe se “gjithmonë i përgjigjet atdheut”.

    “I pandehuri Ridvan Muharremi deklaron se në tërësi pajtohet me pretendimet e mbrojtësit e tij dhe mbështet deklaratën që ka dhënë me shkrim në polici dhe në prokurori, thekson se ka ardhur nga Zelanda e Re në Kosovë bashkë me familje për të jetuar dhe kontribuar në Kosovë”, thuhet në vendim.

    “Sipas avokatit Halimi, i dyshuari Muharremi është afarist i shkëlqyer dhe që gjithmonë i përgjigjet atdheut sa herë që e kërkon nevoja”, vijon ndër të tjera vendimi.

    Avokati Halimi e ka akuzuar Prokurorinë, duke e quajtur gjykimin e klientit të tij, Ridvanit, si “proces politik”, njësoj sikurse partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Në anën tjetër, Prokurori special, Valdet Gashi, sipas vendimit, i ka thënë Halimit se “ky është një proces politik, prokurori special Valdet Gashi ka thënë se është një deklarim i paqëndrueshëm, i hamendësuar dhe se kontaktet e të dyshuarit Muharremi me dy të dyshuarit tjerë, i ka dëshmuar edhe në këtë seancë”.

    Muharremi, bashkë me Irfan Lipovicën dhe Hafiz Garën, po dyshohen për keqpërdorim me rezerva shtetërore. Ky keqpërdorim, sipas Prokurorisë Speciale, i ka kushtuar 600 mijë euro buxhetit të shtetit, meqë mallrat e porositura për rezerva shtetërore nuk erdhën kurrë në Kosovë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark