Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësim në lidhje me jo-profesionalizmin e Komunës së Prishtinës, të udhëhequr nga z. Përparim Rama. Kjo mungesë e profesionalizmit është rezultat i keqpërdorimeve të mëdha dhe të vazhdueshme të cilat tashmë janë bërë pjesë e punës rutinore të kësaj komune.
Sipas një reagimi AVONET është duke hulumtuar dhe monitoruar aktivitetin e prokurimit me titull: “Menaxhimi i mbeturinave”, me numër të prokurimit 616-24-11988-2-1-1, të inicuar nga Komuna e Prishtinës, në vlerë prej 16.5 milionë eurosh, e ku gjatë analizimit të dokumenteve të prodhuara nga Komuna e Prishtinës, në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit kemi hasur në vendimin për emërimin e grupit punues për hartimin e specifikave teknike / termave, i cili për nga përmbajtja është skandaloz.
Çdo akt administrativ ka katër (4) elemente themelore, të cilat janë hyrja (permabula), dispozitivi, arsyetimi dhe këshilla juridike. Mirëpo, në vendimin skandaloz të z. Përparim Ramës, thuhet se vendimi është nxjerur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo huqje në dukje të parë duke së është e natyrës teknike, mirëpo nëse i analizojmë nga gjeneza të gjitha veprimet reale dhe aktet formale, mund të konsiderojmë se ky proces i kundërligjshëm që nga fillim është zhvilluar me shumë lëshime dhe shkelje të ligjit pozitiv për prokurim publik, ashtu siç i kemi ngritur edhe në deklaratën e fundit për media.
Por, ky vendim skandaloz ka kundërthënie edhe në dispozitivet e saja, ku konkretisht në pikën 4 të këtij vendimi thuhet se personi/grupi punues obligohet që të i hartoj specifikimet teknike deri ma datë 05.11.2024, kurse në anën tjetër vendimi skandaloz mban datën 19.11.2024.
Gjithashtu, nga dokumentet që ne posedojmë shihet qartë se ky grup punues ka punuar para se të nxirret vendimi nga ana e Kryetarit ose ka falsifikuar datat e disa dokumenteve zyrtare, e që kjo e fundit përmbën edhe vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Skandali thellohet edhe më shumë nëse analizojmë edhe dipozitivin numër 6, ku thuhet se vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Sekretari i Përgjithshëm, e që vendimi në fund është i nënshkruar nga Përparim Rama, si kryetar i komunës. AVONET kërkon që Komuna e Prishtinës të anulojë menjëherë këtë vendim skandaloz, i cili bie ndesh me vetë përgjegjësitë dhe detyrimet ligjore të një Kryetari të Komunës.
Besojmë që pas këtyre veprimeve të përsëritura nga ana e komunës do ketë reflektim në mënyrë që të gjitha veprimet të jenë në harmoni me legjislacionin pozitiv dhe besimin qytetar të dhënë. Rrjeti i OJQ-ve AVONET mbetet i përkushtuar për të promovuar transparencën dhe respektimin e ligjit dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë shkeljet në fushën e prokurimit publik, duke përdorur edhe mjetet juridike për të mbrojtur paranë publike.nRrjeti i OJQ-ve AVONET.