
Dimitris Avramopoulos, komisioner për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, ka përgëzuar autoritetet kosovare për siç ka thënë, përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizmin e vizave.
Në një konferencë për media së bashku me Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Skender Hyseni, Avramopoulos ka thënë se shpreson që së shpejti edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli do të miratojnë kërkesën e Komisionit për liberalizmin e vizave.
Ai ka paralajmëruar se nesër do të vijë për një vizitë në Kosovë dhe ka thënë se pret që të vazhdoj edhe më tutje bashkëpunimin me autoritetet kosovare deri në përmbylljen përfundimtare të këtij procesi.
Në anën tjetër, Ministri Hyseni ka thënë se kjo është një ditë gëzimi për Kosovën pasi tani “ndihemi edhe teknikisht evropian.”
“Njëkohësisht duam të falënderojmë ata zyrtarë që kanë qëndruar krahas nesh. Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e MSA-së dhe përfundimisht jemi të përcaktuar në rrugëtimin tonë për tu bërë anëtarë të plotë të BE-së. Ne jemi të vetëdijshëm për punën që kemi përpara, dhe jemi të angazhuar për t’I përmbushur kriteret e kërkuara nga BE”, ka thënë ai.
Ashtu siç u paralajmërua ditëve të fundit, Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke vlerësuar se Kosova ka arritur me sukses kryerjen e reformave në fushën e drejtësisë. Propozimi për heqjen e vizave do t’i procedohet për vendim final Parlamentit Evropian dhe Këshillit./Insajderi.com