“Cozman do të përgjigjet për atë që ka bërë”, e nis kështu rrëfimin e tij për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare” babai i Noizy-t, i cili mbeti i plagosur dy ditë më parë gjatë një sherri në qendër të Prishtinës.
“Noizy është shëndoshë e mirë si kokrra e mollës. Është gjuajtur me një pistoletë kalibër shumë të vogël, dhe ka marrë një gërvishtje të lehtë në këmbë. Dhe nuk është aspak e vërtetë që është plagosur në kokë. Noizy të martën në mbrëmje ka performuar në Ferizaj me program të plotë. Madje salla ku është mbajtur koncerti ka qenë më plot se herët e tjera”, – shprehet, Bashkim Rajku.
Më tej tregon se lajmin e sherrit e ka marrë vesh nga mediat dhe menjëherë është nisur për në Kosovë, ku dhe ka takuar të birin e plagosur në spital. Si një nga personat më të afërt me të, ai tregon se si e gjeti në Kosovë Rigelsin.
“Kur e pashë, ishte duke qeshur. ‘S’kam asgjë’, më tha, ishte fare i qetë. Dhe me të vërtetë nuk kishte asgjë; sapo mori mjekimin doli menjëherë nga spitali”, – shprehet babai i këngëtarit të mirënjohur.
Labeli “Babastars” sulmoi ditën e martë Noizy-n së bashku me miqtë e tij. Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga kjo përplasje, mbeten ende të paqarta rrethanat që çuan në këtë sherr. Babai i reperit të njohur tregon arsyet që çuan në këtë konfrontim.
Sipas Bashkimit, grupimi “Babastars” i ka sulmuar djemtë sapo i ka parë, me qëllim poshtërimin e reperit. Madje ata kanë përdorur armë, ndërsa Noizy së bashku me pjesëtarët e tjerë të OTR kanë qenë të paarmatosur.
“Ata kanë qenë të përgatitur për ta frikësuar, se kanë qenë edhe me kamera me vete. Kanë menduar se Noizy do t’u dorëzohej që ta poshtëronin, po kur e kanë parë veten të shtrirë për tokë, atëherë kanë qëlluar me armë. Po kjo është një pabesi që i është bërë, se askush nuk i gjuan tjetrit në shtëpinë e vet. Edhe pse kanë qenë me armë në dorë, Noizy prapë i ka rrahur, i ka sakatuar. Kjo është historia”.
Mes gjithë kësaj historie ai nuk harron pa përmendur edhe policinë e Kosovës, që sipas tij kanë qenë të paaftë për të mbrojtur Noizy-n, ndaj dhe atij i është dashur të vetëmbrohet.
“Për sa i përket Policisë së Kosovës, shumë e dobët, shumë e paaftë. Ka qenë aty kur është zhvilluar ngjarja dhe s’ka mundur të bëjë asgjë. Është dashur që Noizy të vetëmbrohet. Noizy me grushte dhe ata me armë”, – përfundon Bashkimi.
“Bilanci” i konfrontimit është me dy të plagosur dhe tre të arrestuar. Konkretisht Noizy dhe miku i tij, Varrosi kanë mbetur të plagosur, pas sherrit me armë me Cozmanin, vëllain e tij dhe një mik. Të shumta ishin lajmet që vinin nga Kosova rreth gjendjes shëndetësore të këngëtarëve, megjithatë gjithçka është marrë vesh mbrëmjen e ditës së martë, kur Noizy, edhe pse i plagosur, ka vijuar koncertin e planifikuar në Ferizaj, ndërsa Cozman mbetet në burg, deri në gjykimin e tij.