Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO261/24, duke theksuar se shumica parlamentare nuk mund të abuzojë me numrat për të shndërruar përjashtimet procedurale në rregull.
Sipas Bajraktarit, Gjykata Kushtetuese ka ritheksuar qartë se ushtrimi i pushtetit legjislativ nuk mund të reduktohet vazhdimisht në zbatimin e nenit 123 të Rregullores së Kuvendit, i cili lejon që me 2/3 e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë të anashkalohen afatet procedurale.
Në pikën 186 të aktgjykimit, Gjykata vë në dukje se një praktikë e tillë nuk mund të përdoret për miratimin e ligjeve që rregullojnë çështje me rëndësi të veçantë, që prekin interesin publik, funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të individëve.
“Përjashtimi nuk duhet të bëhet rregull. Numrat nuk janë gjithçka”, tha Bajraktari.