Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë me Bankën Botërore, përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”.
Ministrja Bajrami ka bërë të ditur se këto mjete do të përdorën për prokurimin e pajisjeve mjekësore dhe forcimin e sistemit shëndetësor.
“Sot kam nënshkruar Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”. Mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive”, ka thënë Bajrami përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore. “Projekti i Emergjencës COVID-19” është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë, dhe Bankës Botërore në anën tjetër”, u shpreh ajo. /Insajderi.org