Insajderi
Hulumtime/Analiza

“Ballkan Petrol” e familjarëve të deputetit të VV-së merr dy kontrata të reja, 16 tenderë vetëm këtë vit

Insajderi
19 August 2026 - 15:17
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Ballkan Petrol” e familjarëve të deputetit të VV-së merr dy kontrata të reja, 16 tenderë vetëm këtë vit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Blenera Karaxha

Kompania “Ballkan Petrol” ka siguruar edhe dy kontrata të reja nga ndërmarrjet publike, njëra me Trepçën në vlerë prej rreth 189 mijë euro dhe tjetra me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh. Me këto dy kontrata të reja, numri i tenderëve që “Ballkan Petrol” ka lidhur vetëm gjatë vitit 2026 arrin në 16, sipas të dhënave në platformën e-prokurimi.

Gazeta Insajderi

Kompania nga Ferizaj ka një prani të vazhdueshme në procedurat e prokurimit, veçanërisht në kontratat e ndërmarrjeve publike që operojnë në sektorin e energjisë.

Më 18 gusht 2026, Trepça SH.A. njoftoi se “Ballkan Petrol” është shpërblyer me kontratë për “Furnizim me sfera dhe shufra për bluarjen e xehes”.

Vlera e kontratës është 189 mijë euro.

Bëhet fjalë për kontratë kornizë me kohëzgjatje prej 12 muajsh, ndërsa furnizimi do të bëhet për Minierën me Flotacion në Stantërg dhe Minierat me Flotacion në Kishnicë dhe Artanë.

Në dokumentet e tenderit janë përcaktuar edhe kushtet për realizimin e furnizimeve, ku specifikohet se dërgesat do të bëhen pas lëshimit të urdhërblerjes nga autoriteti kontraktues.

“Duke e parë se kontrata është njëvjeçare dhe dërgesat do të kryhen vetëm pas lëshimit të urdhërblerjes nga Autoriteti Kontraktues, ju lutem të sqarohet se sa do të jetë afati i dërgesës pas pranimit të urdhërblerjes nga Autoriteti Kontraktues”, thuhet aty.

Ndërkohë, më 19 gusht 2026, KEK-u njoftoi se “Ballkan Petrol” është përzgjedhur edhe për furnizimin me “Ad-Blue”, në një kontratë në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh.

16 kontrata vetëm gjatë vitit 2026

Këto dy kontrata të reja e çojnë në 16 numrin e kontratave të siguruara nga “Ballkan Petrol” vetëm gjatë vitit 2026.

Njëra prej kontratave me vlerë më të lartë është ajo e nënshkruar më 17 korrik 2026, në vlerë prej rreth 249 mijë eurosh, për furnizim me elektromotorë.

Kompania ka siguruar gjithashtu kontrata të tjera për furnizime të ndryshme, përfshirë edhe një kontratë me Trepçën për furnizim me vajra në vlerë prej 124 mijë euro.

Ndërkohë, përfitimet e kësaj kompanie nga tenderët nuk janë të kufizuara vetëm në vitin 2026. Gjatë vitit 2025, “Balkan Petrol” ka qenë përfituese e dhjetëra kontratave.

Në mesin e tyre një kontratë e majme në vlerë prej rreth 6.7 milionë euro nga KOSTT, në kuadër të një grupi operatorësh ekonomikë. Përveç kësaj, kompania kishte lidhur kontrata me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në vlerë mbi 269 mijë euro, si dhe me Trepçën në vlerë rreth 279 mijë euro.

Përveç kontratave të mëdha, “Balkan Petrol” ka siguruar edhe një sërë kontratash më të vogla për furnizime të ndryshme në ndërmarrje.

Ballkan Petrol dhe lidhja familjare me deputetin e VV-së, Enver Haliti

Në regjistrin e bizneseve, si pronarë të kompanisë nga Ferizaj, Ballkan Petrol, figurojnë: Imri, Zenel dhe Bekim Haliti.

Të njëjtit janë familjarë të deputetit të VV-së, Enver Haliti, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të Ferizajt.

Madje, në vitin 2025, Kurti së bashku me Halitin kishin vizituar kompaninë në fjalë.

Kurti nga aty kishte premtuar se, nëse Haliti zgjidhet kryetar, kompani të tilla do të kenë mbështetjen e tij.

“Me kryetarin e ardhshëm të Ferizajt, Enver Haliti, i vizituam mjediset e tyre të punës. Enveri e kupton shumë mirë që prodhimi është shtylla e zhvillimit ekonomik dhe e di edhe më mirë që Ferizaj e ka të gjithë potencialin për të qenë kryeqendër ekonomike rajonale. Me qeverisjen e tij, kompanitë prodhuese do të jenë në qendër të politikave mbështetëse, dhe me të kryetar të komunës, Ferizaj do të jetë kryeqendra ekonomike e rajonit“, kishte shkruar kryeministri.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark