×
  • Lajme
  • Lajme

    Banda InfoSoft e Grigor Jotit vjedh 4.5 milionë euro me fatura false

    Insajderi
    01 July 2022 - 12:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në sirtarët e Gjykatës së Tiranës prej 4 muajsh është kyçur e nuk po çohet në Dhomë Penale për fillim procedure gjykimi për “Çështja Penale Nr. 828.2020”, në ngarkim të grupit “Joti” që ka vjedhur 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.

    Këto fatura, janë lëshuar nga dy bizneset fantazma “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION ” të oligarkut Grigor Joti, kapur para 1 viti e kallëzuar penalisht nga KLSH edhe për çokollatat dhe akulloret e importit me etiketa false, të skaduara e me substanca kimike.

    Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i kanë vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës ka konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Rolond Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse.

    Faturat janë lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH.

    Jo vetëm kaq, por sipas prokurorit Bledar Valikaj, gjatë periudhës kur dy firmat “Inter Distribution Services Shpk” e “INTER TRADE&DISTRIBUTION Shpk” të oligarkut Grigor Joti kanë lëshuar faturat false për 4.5 milionë Euro TVSH në emër të subjektit “Lindita Spaho-Person Fizik”, kjo ka qenë e ç’regjistruar si aktivitet.

    Pasi ka provuar vjedhjen edhe me dokumente tatimore, më 1 mars 2022 prokurori Bledar Valikaj ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, “Dosjen nr. 828/2020” me të pandehur Roland Joti, Ana Zervoi, Alban Ulkashej, Dritan Bylyku.

    Si ortakë dhe drejtues të firmave “Inter Distribution Services” e “INTER TRADE&DISTRIBUTION”, biznese të grupit “InfoSoft” me pronar oligarkun Grigor Joti, këta kanë kryer veprën penale “Fshehje e të ardhurave” e “Falsifikim të dokumenteve tatimore në bashkëpunim”, me pasojë 4.5 milionë Euro vjedhje.

    Ata janë çuar për gjykim qysh më 1 mars, por shefat e Gjykatës- Tiranë nuk po e kalojnë dosjen në Dhomë Penale e short, megjithëse është tejkaluar afati i nisjes së procedurës, ndërkohë që 143 dosje të tjera penale, të çuara pas dosjes “Joti”, janë shortuar e janë futur në proces gjykimi.

    Ka zëra, se dosja e vjedhjes 4.5 milionë Euro nëpërmjet mashtrimit tatimor me TVSH-në e cigareve, bërë nga firmat “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE & DISTRIBUTION” do mbahet kyçur e do lihet në harresë, deri sa të kalojë afati ligjor i gjykimit dhe… do pushohet.

    Mos harroni! Janë bizneset e oligarkut Grigor Joti, ndërsa organizator i këtij krimi është vëllai i tij Roland Joti, por kujtojmë, se kjo nuk është hera e parë që vjedhin me fatura false të TVSH.

    Madje batërdi me faturat false të TVSH, Grigor Joti ka bërë dhe me firmat e tjera “IMLS Shpk”, “Interbrands shpk” e “Investment Joti- Infosoft Group”, për të cilat, shefat e tatimeve i fsheshin, ndërsa ne do t’i publikojmë në vijim./Pamflet

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark