Sot kanë vazhduar protestat e banorëve të fshatit Dumnicë përpara zyrave të Bashkësisë Islame të Kosovës në Podujevë, të cilët po kundërshtojnë emërimin e imamit Eset Qerimi në xhaminë e re dhe po kërkojnë që aty të vendoset hoxhë Fidan Musliu.
Protestat në fshatin Dumnicë kanë nisur ditë më parë pasi banorët po refuzojnë vendimin e BIK-ut për caktimin e imami të ri.
Përfaqësuesi i protestuesve, Burim Zejnullahu, ka sqaruar se si parcela e dhuruar, ashtu edhe i gjithë projekti i xhamisë së re, ishin nisur me qëllimin e vetëm që imam të bëhej hoxhë Musliu.
Sipas tij, banorët fillimisht kishin planifikuar ta ndërtonin xhaminë me vetëfinancim, por procesi ishte bllokuar në momentin kur u kuptua se për cilin imam po ndërtohej në të vërtetë. Zejnullahu ka pretenduar gjithashtu se BIK-u i kishte premtuar më parë hoxhës Fidan Musliu se do ta transferonte te xhamia e re porsa të finalizoheshin punimet.

