×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Bashkë me Huruglicën grant 100-mijë eurosh fitoi edhe njeriu që akuzohej se më 2004-ën gjendej “nën qebe me Kurtin dhe Bjelicën”

    Insajderi
    17 November 2024 - 18:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Përveç Naim Huruglicës, Ministrisë së Bujqësisë për grantin 100-mijë eurosh “hairin” ia pa edhe Dardan Velija. Për këtë të fundit është përmendur në publik si dost i kamotshëm i Kurtit, i cili nën pronësinë publike të “Iron Consulting” figuron të jetë bashkëpronar me Huruglicën. Firma në fjalë fitoi grantin 100-mijë eurosh të destinuar për bujqësi nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).

    Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), bashkë me këshilltarin e jashtëm të ministrit Peci, Naim Huruglica, bashkëpronar i “Iron Consulting” figuron të jetë edhe Dardan Velija, shkruan Insajderi.

    Velija ishte një nga anëtarët e hershëm të ‘Listës Guxo’ sa udhëhiqej nga Vjosa Osmani. Tash partia në fjalë i ka mbetur ta udhëheqë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, prej nga firma e tij dhe e Huruglicës e fitoi grantin në vlerë prej 100 mijë eurove.

    Ndonëse nuk kandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës, emri i tij si prurje e re në listën e Osmanit u bë publik pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor VV-Lista Guxo.

    Sidoqoftë, Velija nuk u la pa u shpërblyer me një post në ndërmarrje publike. Vitin që shkoi, ai u përzgjodh kryeshef ekzekutiv në kompaninë për menaxhimin e deponive në Kosovë.

    Se e mban këtë pozitë ende konfirmohet edhe në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes publike në fjalë.

    Hiç më larg se në tetor të këtij viti kishte nënshkruar bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, marrëveshjen në vlerë mbi 12.6 milionë euro grant për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në disa komuna.

    Kryeshefi Ekzekutiv i KMDK SH.A, Dardan Velija tha se ky projekt është qenësor për ndërmarrjen dhe për tërë vendin tonë. Ai theksoi se nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë rrënjësisht dhe se këto deponi sanitare të cilat funksionojnë pa leje adekuate, do të shëndrrohen në deponi sanite me infrastrukturë moderne konform standarteve evropiane dhe rregullave mjedisore“, thuhej në komunikatë.

    Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, bënte akuzë të rëndë ndaj Velijajt, pasi që ishte përzgjedhur kryeshef ekzekutiv. Ai e quante si “mik të Binçes së Kurtit”, kurse publikonte një raport policor të 17 janarit të 2004. Në të pretendohej se Kurti bashkë me Dardan Veliajn e Vlora Bajqniovcin kishin vizituar fshatin Binqe të banuar me serbë, ku në takim ishin edhe vëllezërit Donçiq themelues të organizatës “Bozhur”.

    Pos tjerash, e akuzonte Kurtin se ndodhej nën qebe me Velijajn dhe “Jelena Bjelicën”.

    Gazeta Insajderi raportoi edhe për Huruglicën, të suspenduar për një skandal me vajin disulfurik. Ai mbante pozitën e Drejtorit të Doganës së Kosovës, ku u suspendua nga kjo pozitë më 2008-ën në atë kohë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

    Atëkohë këtë vendim e merrte ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF) Ahmet Shala, vetëm pak orë pasi Thaçi në mbledhjen e qeverisë kërkonte ndëshkim ndaj atyre që lejuan futjen e mauneve në territorin e Kosovës.

    Duke u bazuar në kërkesën e Qeverisë , në bazë të përgjegjësive që ka Drejtori i Shërbimit Doganor ndaj këtij rasti, si dhe të gjetjeve të Zyrës së Auditorit Gjeneral të cilat janë të publikuara në raportin e fundit, e të cilat flasin për një numër të konsiderueshëm të shkeljeve dhe parregullsive në këtë shërbim, Ministri i MEF-it në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj, merr vendimin që të suspendojë përkohësisht nga posti i Drejtorit të Doganave, Naim Huruglica”, thuhej në vendimin e atëhershëm.

    Lidhur me vajin disulfurik në Mitrovicë atëbotë ishte mbajtur një protestë.

    Protestuesit thonin se kjo materie është helmuese dhe se shkaktonte pasoja në shëndetin e banorëve si dhe se dëmtonte florën e faunën.

    Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte shpallur tenderin për përzgjedhjen e një kompanie, e cila do të bënte asgjësimin e vajit disulfurik.

    Mbi 50 tonë vaj disulfurik ishin vendosur në Mitrovicë pas konfiskimit të kësaj sasie nga doganierët dhe policia kosovare në kufirin me Shqipërinë.

    Kjo materie kishte ardhur nga Irani dhe bënte pjesë në llojin e gazrave helmuese.

    Huruglica më pas ishte rikthyer në punë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark